Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, e ka cilësuar si të paligjshëm, përçarës dhe antistatutor lëvizjen e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Gjithashtu, Basha shtoi se “dje u themelua organizata e parë antiamerikane në 30 vite, pas asaj të Enver Hoxhës”.
“Me një vendim të paligjshëm, antistatutor, përçarës, Sali Berisha pezulloi dhe Këshillin Kombëtar. Ju jam mirënjohës për përpjekjen tuaj dhe ata që përfaqësoni, që të mos prevalojnë retorikat përçarëse. Kjo është rruga e vetme që të shkojmë përpara”, mësohet të ketë thënë Basha në këtë mbledhje.
Më herët në selinë blu u paraqitën anëtarët e Këshillit Kombëtar të cilët e pritën Bashën me duartrokitje dhe brohorima.
Pritet që Këshilli Kombëtar të marrë vendim për shkarkimin e kreut të saj, Edi Paloka si dhe të disa prej anëtarëve të Kryesisë që kanë marrë pjesë ditën e shtunë në Kuvendin e 11 Dhjetorit.
Po ashtu siç njoftoi edhe një ditë më parë në një deklaratë Basha, Këshilli Kombëtarë do të dalë me një rezolutë në lidhje me situatën në PD.
Ndërkohë Komisioni për Rithemelimin e PD, i ngritur gjatë Kuvendit të djeshëm, deklaroi më herët se mbledhja e thirrur nga Basha këtë të diel është nul dhe u bëri thirrje anëtarëve që të mos shkojnë.