Politika Basha dorëzon kandidaturën për kryetar të PD, por demokratët rrezikojnë një tjetër...

Basha dorëzon kandidaturën për kryetar të PD, por demokratët rrezikojnë një tjetër ndarje

Lulzim Basha ka dorëzuar kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike zyrtare. Më herët e pati prezantuar kandidaturën edhe Gjergji Hani.

Në këtë mënyrë, duket se edhe PD-ja zyrtare do të ketë skizmën e dytë pas asaj që ndodhi me Sali Berishën.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të mbështetësve të Lulzim Bashës u zhvillua pa pjesën dërrmuese të deputetëve demokratë.

Ky Këshill miratoi edhe ngritjen e Komisionit Zgjedhor që do administrojë procesin elektoral për kreun e ri të partisë në 29 Korrik.

Kjo mbledhje që duhet të ishte bashkuese duket se thelloi edhe më tej hendekun mes demokratëve.

17 deputetë që përbëjnë edhe shumicën në grupimin “Bardhi” e bojkotuan këtë mbledhje me argumentin se është në shkelje flagrante të statutit dhe vetë rregullores së brendshme të miratuar në 15 Janar të vitit të kaluar nga Këshilli Kombëtar.

Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhit dhe 16 deputetët që e mbështesin, janë shprehur se nuk do të njohin asnjë proces që bie ndesh me statutin.

Rikthimi i Bashës

Basha është rikthyer me takime me të rinjtë në kryeqytet një vit pas dorëheqjes së tij pikërisht nga posti i drejtuesit të kësaj partie. Më 24 Maj të këtij viti, ai foli për listat e hapura, vetingun e politikanëve, kufizimin e mandateve për kryeministrin dhe votat e emigrantëve.

Ai pati dhënë dorëheqjen më 21 Mars të vitit 2022, pas 9 vitesh në krye të partisë më të madhe opozitare në vend. Asokohe, Basha e arsyetoi dorëheqjen e tij duke thënë se PD ishte në një krizë të thellë dhe ky vendim do t’i hapte rrugë bashkimit të demokratëve.