Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha se po bashkëpunon me krimin për mbledhjen e firmave.
Në një prononcim për “Fax”, Berisha u shpreh se Basha gabonte me ngritjen e këtyre akuzave duke shtuar se “po të hyj me ushtarë e nxjerr me këpucë të kuqe”.
“Tani unë po merrem me fuqishëm se kurrë me botën e krimit. Me kreun e Meduzës dhe pengun e tij, Lulzim Basha. Krimi ka hierarkinë e tij. Askush nuk është marrë më shumë se unë me kreun e meduzës dhe ushtarët e tij. Tani përqendrimi im është total në organizatën me kriminale në Shqipëri, Ballkan dhe Europë që ka goditur pluralizmin politik dhe ky klan është klani Rama dhe “peng-Basha. Ai gabon, se po të hyj pastaj me ushtarë e nxjerr me këpucë të kuqe. Tani po merrem me bajzolë të krimit. Ka krim më të shëmtuar sesa t’i atakosh pluralizmin. Shfrytëzoj rastin të përshëndes kryetarët e degëve, 20 prej të cilëve bojkotuan mbledhjen e “peng-kryetarit”, tha Berisha.
Po ashtu, Berisha foli edhe për pretendimin e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, i cili pretendoi se në mbledhjen e krerëve të degëve të PD-së, vetëm 5 prej tyre kishin dalë kundër Lulzim Bashës.
“I them unë nga të pranishmit, mbi një 20 të tjerë hodhën poshtë me heshtje kërkesat e pengkryetarit. Unë i përgëzoj ata. Janë dhe do jenë të respektuar. Natyrisht pati një grup të vogël i cili mbajti qëndrim proBashës, por kjo nuk i pengon ata të jenë të pranishëm në Kuvendin e datës 11 dhjetor. Nuk besoj t’i lejojnë vetes turpin historik, të bashkohen me antimitingun e shoqatës Basha-Bardhi. Me datë 11, PD ngrihet më e fuqishme se kurrë. Nuk janë të përjashtuar as Basha dhe as Bardhi. Ata do të krijojnë një fushatë për t’i bërë fresk kreut të Meduzës”, tha Berisha.
Në disa intervista të njëpasnjëshme për mediat sot, Basha u shpreh se Berisha po ndihmohej për mbledhjen e firmave nga personazhe të skeduar, duke përmendur: Suel Çelën, Tom Doshin dhe Aqif Rakipin. Sipas Bashës, Berisha kishte përgjegjësi pasi nuk po distancohej publikisht ndaj tyre.