Politika Basha e akuzoi për pazar me mazhorancën, Bardhi: Me votën e tij...

Basha e akuzoi për pazar me mazhorancën, Bardhi: Me votën e tij përfituan amnisti dhe kriminelët

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me deklaratën më të fundit të Lulzim Bashës se me amnistinë penale është duke u bërë pazar.

Para nisjes së seancës, Bardhi akuzoi Bashën se me votën e tij në 2014 përfituan falje dhe anëtarë të krimit të organizuar, teksa listoi edhe njëherë kërkesat që janë depozituar në Kuvend për të bërë të mundur votimin e amnistisë.

“Lajm i mirë që Basha është zgjuar që në orën 08:00. Sot është një ditë e rëndësishme pasi kryeministri duhet të ishte në interpelancë për Xibrakën.

Sa i përket amnistisë, jeni dëshmitarë që ka një traditë të Kuvendit të miratimit të tyre. Në rastin konkret PD është kujdesur që drafti të jetë i njëjtë me draftet e mëparshme, me dy dallime thelbësore që janë risitë në amendamentin që dorëzuam dje. Asnjë anëtar i krimit të organizuar nuk përfiton, ndryshe nga sa ka ndodhur në 2014, kur me votë nga zoti Basha ka patur amnisti dhe për anëtarët e krimit të organizuar.

Asnjë zyrtar, subjekt që gjykohet nga GJKKO, nuk përfiton nga amnistia për çdo lloj vepre penale. Ndryshe nga sa është vepruar nga amnistitë e tjera, në propozimet tona janë që të përfitojnë dhe protestuesit e ndaluar në protestat kundër qeverisë. Amnistia nuk bëhet për politikanët, por për qytetarët në nevojë”, tha Bardhi.