Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi edhe një herë qeverinë dhe kreun e saj, Edi Rama, se po mbyll sytë dhe veshët, siç tha ai, para denoncimeve të aferave korruptive.
“Transparency International konfirmoi në anglisht atë që në shqip e thotë çdo shqiptar, ka filluar ta thotë edhe ndonjë zë brenda jush, që qeveria e masakrës zgjedhore është më e korruptuara e Ballkanit dhe Europës”, tha Basha.
“Dje janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dy nga “presta nome”-t e kësaj afere prej 430 milionë eurosh. E kam paralajmëruar një vit më parë se ata do të zhduken, ose më keq, sepse dinë shumë. Nuk është kënaqësi të themi që koha na dha të drejtë. Ju kemi kërkuar t’i ndërprisni pagesat, ju i vazhdoni. Për çdo aferë që kemi denoncuar ju bëni veshin e shurdhër. Prandaj jemi vendi me varfërinë më të madhe në rajon dhe kemi numrin më të lartë të azilkërkuesve në rajon. Kur do të vijë dita që do të ballafaqoheni më të vërtetën? Kur do të vijë dita ta ngrini zërin? Nëse jo, turpi është i juaji”.