Nga Konferenca Doktrina e së Djathtës, Sali Berisha akuzoi paraardhësin e tij në krye të Partisë Demokratike se e largoi këtë forcë politike nga vlerat konservatore dhe boshti i saj ideologjik.
“PD vendosi në themelet e programit të saj, liritë dhe të drejtat e qytetarëve. PD nën drejtimin e mëparshëm u shndërrua në një OJF të majtë, u largua nga shtyllat e saj kryesore.”
I kthyer pas në kohë, vetes i njohu meritën për zgjidhjen që tha se qeveria e tij i dha çështjes së pronës, pa mohuar edhe gabimet që iu bënë kësaj shtrese.
“I dha përgjigjen perfekte çështjes së pronës, por brenda muajsh bëri pronarë të apartamenteve të tyre 240 mijë shqiptarë. Si asnjë vend në Europën Lindore. U përpoq me tokën, bazuar në parime që për fat të keq shkelën të drejtat e pronarëve dhe këtë duhet ta njohim. Por rezervuari njerëzor i krijuar impononte një parim: toka atij që jeton dhe që e punon.”
Ashtu si 32 vite më parë, Berisha tha se nevojitet që shqiptarët të përmbysin sistemin monist të instaluar nga Edi Rama.
“Sot është 22 Marsi, dita kur shqiptarët, 32 vite më parë, kurorëzuan revolucionin demokratik të viteve ’90, përmbysën sistemin komunist, më stalinist të Europës, më të egër, më barbar. Vetëm një forcë konservatore e qendrës së djathtë mund të përmbysë këtë monizëm që bazohet në krim, vjedhje, drogë…”
Për rikthimin e besimit tek shqiptarët, Berisha u shpreh se lind nevoja e rivendosjes në piedestal të parimeve mbi bazën e të cilave lindi tre dekada më parë Partia Demokratike.