Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha foli për drejtuesit e rinj që pritet të zgjidhen në këtë Këshill, të cilët do të drejtojnë këtë forcë politike në 4 vitet e ardhshme. Basha tha se qëllimin kryesor është largimi i qeverisë Rama dhe zgjidhja për këtë sipas tij është duke rikthyer besimin e njerëzve tek PD. Ai prezantoi gjithashtu 4 shtyllat e aksionit opozitar.
“E di që çfarë do që të them, shumica e njerëzve shohin më shumë problemin e dukshëm, të menjëhershëm, urgjent që ne ndeshemi si shoqëri: largimin e regjimit shkatërrimtar të Edi Ramës. Unë e di se për të gjithë këto që unë kam folur shumë njerëz duan një zgjidhje të menjëhershme, të shpejtë dhe të thjeshtë të problemit Rama. Nëse ka një pyetje me të cilën ndeshem ditë për ditë është; kur do e rrëzoni Ramën, si do ta rrëzoni Ramën. Dua të jem i qartë. Unë dua ta rrëzojmë tani dhe kjo mund dhe do te të arrihet vetëm në një mënyrë: duke i bërë njerëzit për vete, duke ju ngjallur atyre besimin tek ne, që do t’i sjellë ata rreth nesh. Sa më shumë shqiptarët të bashkohen rreth nesh, aq më shpejtë do bjerë Edi Rama. Ndaj zgjidhjen kryesore të problemit Rama nuk e gjejmë dot as në rrugë dhe as në institucione, por tek mendjet dhe zemrat e njerëzve. Nëse njerëzit besojnë tek ne, nëse njerëzit do të kenë shpresë tek ne, Edi Rama do të rrëzohet edhe formalisht pasi moralisht dhe politikisht ka rënë me kohë”.
Duke u ndalur tek propozimet që do të konkurrojnë për postet drejtuese të PD, Basha tha se ata janë njerëz të përkushtuar. Sipas tij me zgjedhjen e kryesisë së re do të nisë puna për të një alternativë të fortë qeverisëse.
“Një nga arritjet e mëdha të Partisë Demokratike dhe të këtij Këshilli janë pikërisht njerëzit e propozuar që do të konkurrojnë për postet e larta drejtuese në parti përmes një procesi të hapur, demokratik dhe transparent. Janë që të gjithë demokratë të përkushtuar, të zotë, me integritet. Për t’ju përgjigjur sa më mirë sfidave që kemi përpara, për të vënë të gjithë kapacitetet tona në shërbim të realizimit të objektivave të Partisë Demokratike kam vendosur të kemi një ndarje të funksioneve të deputeteve nga sekretariati organizativ i Partisë. Në këtë mënyrë organizimi i partisë, nuk do të jetë i ndërvarur, por do të jetë i ndërthurur me betejat legjislative dhe politike të deputetëve, apo detyrimi i tyre për të qenë sa më pranë votuesve të tyre. Me kryesinë e re, ne do t’i përvishemi menjëherë punës për të krijuar një alternativë të fortë qeverisëse dhe një ekip të zotin dhe me dinjitet për të udhëhequr zbatimin e kësaj alternative”.
Basha foli edhe për 4 shtyllat e alternativës së PD, që sipas tij kthejnë shpresën dhe besimin tek njerëzit.
“Ndaj ne sot do të vendosim për aksionin politik dhe përballjen e madhe që do të nisim bashkë, për ndarjen e politikës nga krimi përmes vetting-ut të politikanëve; Për t’ua marrë Shqipërinë oligarkëve dhe për t’ia kthyer atë qytetarëve përmes platformës sonë antimafia, për dekriminalizimin e zgjedhjeve; Për një Shqipëri të taksave të ulëta, që financon, subvencionon dhe ndihmon gjithçka që rrit prodhimin, rrit punësimin dhe u jep shanse për punësim të gjithë shqiptarëve e në veçanti rinisë shqiptare; Integrimin e Shqipërisë në BE”.
Por ai paralajmëroi se në fillim, opozita do të udhëheqë protestat për largimin e qeverisë.
“Por së pari vjen beteja dhe përballja e madhe për demokracinë dhe shtetin ligjor duke udhëhequr protestat popullore për rrëzimin e Ramës dhe për ta shporrur këtë model njëherë e mirë institucionet, nga politika, nga Shqipëria. PD do ta udhëheqë këtë beteje jetike për Shqipërinë bashkë me shqiptarët dhe do ta fitojmë këtë betejë”.