Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka treguar detaje nga takimi me Presidentin e Republikës Ilir Meta pak ditë më parë, një takim nga i cili nuk ka pasur shumë informacion.
Në një lidhje telefonike në kthim nga Gjermania, Basha tha për “Të paekspozuarit” në Neës24 se takimi nuk kishte asgjë misterioze dhe se ka shprehur pikëpamjet e tij për situatën në vend e njëkohësisht ka dëgjuar pikëpamjet e Presidentit.
“Ka qenë një takim ditën e martë të javës së kaluar, i cili ka zgjatur afro 35 minuta dhe ka qenë një takim tek i cili kam parashtruar pikëpamjet e mia për momentin ku ndodhet vendi dhe kemi shkëmbyer mendime për situatën e vendit. Asgjë misterioze, ka qenë një takim normal. Unë kam parashtruar pikëpamjet e mia dhe kam dëgjuar pikëpamjet e Presidentit”, deklaroi Basha.
Për takimin në fjalë që u mbajt larg vëmendjes së medias nuk pati asnjë deklaratë, si nga Presidenca, ashtu edhe nga selia blu.