Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka marrë si premtim nga Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha forcimin e bashkëpunimit nëse këtij të fundit do t’i jepet mundësia për të qeverisur Shqipërinë pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Pas një takimi që zhvilluan Kurti dhe Basha pasditen e sotme, kryetari i PD-së tha në një postim në Facebook se e kishte uruar për fitoren e zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë dhe i kishte shprehur atij “garancinë se nesër si kryeministër i Shqipërisë do të bëj gjithçka për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin me Kosovën”.
Sipas Bashës ndër aspektet kryesore që kanë nevojë për më tepër bashkëpunim janë aspektet ekonomike, punësimi dhe ndikimi për njohjet e pavarësisë së Kosovës.