Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është shprehur i vendosur për të mos lejuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtare të PD për Sali Berishën.
Në një prononcim për gazetarët jashtë selisë blu, Basha tha se nuk do të ketë mbledhje të Kuvendit të PD për të shqyrtuar vendimet e qeverisë amerikane, duke iu referuar vendimit të DASH për shpalljen “non grata” të Sali Berishës.
“Sa i përket pretendimeve për referendume dhe Kuvend, Kuvend të PD për të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të patur. Objektivat tona janë përballja me Edi Ramën dhe regjimin e tij dhe e gjithë energjia jonë është e fokusuar këtu. Nuk ka për të patur Kuvend të PD, nuk ka për të patur Kuvend të PD që shqyrton vendimet e qeverisë amerikane”.
Sa i përket deklaratave të ish-kryeministrit Berisha një ditë më parë, i cili e konsideroi Lulzim Bashën se “është i marrë peng nga Edi Rama”, kryedemokrati u përgjigj duke thënë se të njëjtat akuza i bënte për 8 vite Kryeministri Rama.
“Për 8 vite me radhë Edi Rama më ka akuzuar për kukull të Sali Berishës. Dje Sali Berisha më ka akuzuar për peng. E para është gënjeshtër. E dyta nuk do të ndodhë kurrë. Të dyja janë dy anë të të njëjtës medalje. PD po ecën përpara, PD do t’i prijë betejës popullore për ndryshim që vjen përmes largimit të këtij regjimi dhe kthimit të vendit në shinat e PD, të cilat sigurojnë një jetë më të mirë për çdo shqiptar”, u shpreh Lulzim Basha.