Ish-kreu i PD Lulzim Basha ka reaguar pas akuzave ndaj tij të Sali Berishës lidhur me portin e Durrësit.
Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook Basha shprehet se Berisha, Rama, Meta, të cilët ai i quan Trekëndëshi i Bermudës, i kanë të përbashkët ‘oligarkët dhe mediat, lejet, kullat, koncesionet e tenderët, bandat dhe policët e gjyqtarët e korruptuar’.
“Sa herë do të fshehë diçka, non grata hap thesin e mashtrimeve dhe shpifjeve. Trekëndëshi i Bermudës është i pandarë në korrupsion, lidhje me krimin dhe minim të demokracisë. E vërteta është e thjeshtë: Bashkë i kanë oligarkët dhe mediat, lejet, kullat, koncesionet e tenderët, bandat dhe policët e gjyqtarët e korruptuar”, shkroi Basha përmes një postimi në Facebook.
Në deklaratën për mediat ditën e sotme kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi ish-kreun e kësaj partie Luzlim Basha si të bashkëpërfshirë në aferën e portit të Durrësit me kryeministrin Rama.
“Ky monizëm nuk ka të ndalur, aferat e tmerrshme të Edi Ramës janë unike në botë. Pasi ka vjedhur 420 milionë euro me firmën e tij për ndërmarrjen e tij të djegësve, vërsulet i tërbuar për të vjedhur 1 milion metër katror tokë në një sipërmarrje, shumë shpejt do e njihni, me dokumente false. 60 për qind të aksionerëve janë Edi Rama dhe Lulzim Brava dhe mafiozët e tyre. Po organizojnë në Durrësin e Shqipërisë vjedhjen më të tmerrshme në histori”, tha Berisha.