Kryetari i PD-së Lulzim Basha i ftuar në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv nuk pranoi që të komentonte paketën e dytë ekonomike që kryeministri prezantoi sonte, pasi tha se nuk është njohur në detaje, ndërsa lidhur me ftesën e Edi Ramës për të bashkuar forcat me ekspertët dhe idetë, u shpreh se qeveria i ka aty propozimet e opozitës. “Unë nuk do të përfshihem në asnjë debat, dhe i bëj ftesë që të shmangë retorikën dhe gjuhën e ashpër ndaj opozitës dhe të fokusohet te prioriteti i qytetarëve, shëndeti dhe ekonomia.
Ky është prioriteti im, ekspertët tanë janë gati në çdo moment të qytetarëve në fushën e shëndetësisë, ekonomisë, propozimet janë konkrete. E gjithë energjia dhe vëmendja e opozitës janë në shërbim të njerëzve. Paketa që shpalli presim të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe ta analizojmë. Ne prej fillimit kemi adoptuar një qasje krejt ndryshe në raport me çdo opozitë të mëparshme.
Ne kemi propozuar, kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur, që qeveria të hedhë hapa të vendosur për t’u përballuar me situatën dhe të dalë nga kriza dhe për të dalë nga kriza. Ne kemi shqetësime në dy rrafshe, që të mos ketë hendek mes asaj që thuhet dhe bëhet dhe nevoja për të ndërtuar një plan, që jo vetëm të japë shpresë, por edhe rrugë për të dalë, strategji për të cilën kyçe është testimi”.
“Ja për çfarë iu luta Ramës në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vënë theksin te kryerja në masë e testimeve, si forma e vetme për të ndalur zinxhirin e transmetimit të përhapjes së COVID-19. Ai ka zbuluar edhe një nga kërkesat e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, lutje, siç e ka quajtur Basha, është mbyllja e fasonerive, apo bizneseve ku ka një grumbullim të madh njerëzish.
“Në Shkodër kemi marrë vesh për një infermiere që ka qenë e infektuar, trajtoi katër pacientë, njëri ndërroi jetë, por ai i takuan ata familjarët? Ja pse është i rëndësishëm testimi. Rasti i të aksidentuarit që u zbulua vetëm se ndodhi një aksident më pas te Trauma, sot kemi 10 mjekë në karantinë, po nëse ua kanë përcjellë të tjerëve? Çfarë masash janë marrë? Pa bërë një testim të plotë, të vazhdueshëm e të vështirë do ta kemi të pamundur të hedhim këto hapa, se çdo hap që hidhet pa e ditur ku është virusi, na çon drejt katastrofës. Këtu kemi një dallim të qartë mes asaj që propozojmë ne, dhe asaj që nuk po ndodh nga ana e qeverisë. I jam lutur edhe gjatë mbledhjes, që ta shqyrtojë me përparësi mbylljen e fasonerive, sot ndodhemi para një fakti që infektimi i një punonjëse është një kambanë e madhe. Duhet veprim i menjëhershëm! Nuk bëhet fjalë për një grupi të vogël njerëzit”, tha Basha.
“Paketat e qeverisë gjysmake! Akoma nuk është zbatuar e para”
Për Bashën, paketa e dytë ekonomike ëshrë gjysmake. Ai tha se qeveria lekët i ka në buxhet, ndërsa tregoi edhe formulën si mund të gjenden 260 mln euro. “E dyta janë familjet në nevojë. Paketën po e marrim të mirëqenë që u shpall sot dhe ti shtojmë edhe paketën e para një muaji që akoma nuk është zbatuar, prapë janë sa 2/3 e paketës së Kosovës, që po bën gati të dytën. Po ecet me gjysmë pakete me gjysmë pakete, qeveria i ka mundësitë, po të dojë i gjen paratë. 120 mln euro koncesionet, 100 mln euro të investimeve publike, 40 mln të shpenzimeve operative, përbëjnë 260 mln euro. Akoma më dramatik është zbatimi i paketës.
E vlerësova kur kryeministri në 17 mars shkroi se ata që janë dëmtuar do të kenë lekët në kontot e tyre bankare. Por në fund të fundit qeveria shtyhet të veprojë më shpejt, ky është roli i opozitës, kur e ka bërë e kemi përshëndetur dhe këtë do ta bëjmë, por nëse diçka thuhet dhe diçka tjetër bëhet problemi është çfarë arrin te qytetari? Pasi nëse ndihma nuk arrin situata kushton shumë rëndë. Sot kemi paqartësi, nervozizëm dhe pamundësi. Duhet të veprohet në shëndetësi, shtresat në nevojë dhe ekonomia. Duke e përshëndetur në parim paketën e dytë, duke e quajtur edhe si presion nga opozita dhe biznesi, duhet ta shoh të zbardhur dhe i bëj thirrje të zbatojë paketën e parë“, tha ai.