Deklarata kur Lulzim Basha sulmoi për herë të parë Ilir Metën, që prej 2017-s duke e bërë atë pjesë të “trekëndëshit të së keqes” së bashku me Edi Ramën dhe Sali Berishën nuk ka qenë e rastësishme.
Kreu i Partisë Demokratike i qëndroi asaj deklarate edhe në një intervistë televizive të dhënë këtë të enjte.
“Beteja e Partisë Demokratike është pikërisht me këtë trekëndësh të pushtetit të korruptuar, të krimit të organizuar, të oligarkisë dhe në këtë pikëpamje çdokush që është për interesat e veta personale, cilado qoftë zanafilla e këtyre interesave personale, shpallja non grata apo çfarëdo interesi tjetër që nuk rreshtohet me shqiptarët kundër këtyre tre fenomeneve, patjetër që është në vetvete një trekëndësh problematik për shqiptarët, një trekëndësh Bermude”, tha Basha në një intervistë për ABC.
Kreu i PD-së u shpreh se do t’i qëndrojë përballë këtij trekëndëshi, bashkë me demokratët, ndërsa sqaroi edhe më shumë konceptin e “Trekëndëshit të Bermudës”.
“Trekëndëshi i Bermudës nuk janë thjesht tre persona, por është kultura e pandëshkueshmërisë, është bashkëpunimi i politikës me krimin, s’ka rëndësi nëse është për të marrë pushtetin apo kur je në hall edhe kur je në opozitë dhe është përqendrimi putinist i ekonomisë në duart e oligarkëve”, tha kreu i PD.
Ndryshe nga shqiptimi për herë të parë i kësaj akuze, ku Presidenca zgjodhi heshtjen, këtë herë u përgjigj. Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta reagoi me një postim në rrjetet sociale. Presidenca shpreh “keqardhje për Lulzim Bashën”, që sipas saj synon ta përfshijë Presidentin në kriza që i ka shpikur vetë.
“I rikujtojmë z.Basha, KATËRKËNDËSHIN e përgjegjësive të tij madhore: Bojkoti i reformës administrative-territoriale; Bojkoti i reformës në drejtësi; Djegia e mandateve të deputetëve; Zerimi i opozitës në pushtetin vendor, që sollën kapjen totale të shtetit”, shkruan Blushi.
Megjithatë, vijon deklarata, “Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë z.Basha, për çdo sqarim apo paqartësi, në zyrën e tij në institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë”.
Deklarata mbyllet me ironi: “Kur z.Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99”.