Politika Basha, ironi me qeverinë: Pret Konferencën e Donatorëve për bonuset e qirave

Basha, ironi me qeverinë: Pret Konferencën e Donatorëve për bonuset e qirave

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u rikthye edhe një herë në zonën e Shkozetit, ku u takua me banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilët e njohën atë për problemet e tyre.

Sipas kryedemokratit, asgjë nuk është bërë për banorët e dëmtuar dhe se qeveria vijon me propagandën dhe pret Konferencën e Donatorëve për të dhënë bonuset e qirave.

Basha përsëriti edhe njëherë nevojën e aplikimit të 5 pikave të propozuara nga opozita për të ndihmuar biznesin në zonat më të dëmtuara nga tërmeti.

“Dy muaj dhe nuk ka asnjë ndryshim, nuk vlerësim dëmesh, ka vetëm fjalë dhe propagandë. Kjo po futet në dimensionin e tretë të krizës.  Ndërkohë që filloi viti buxhetor, 150 milionë dollarë për oligarkët i ka, ky pret Konferencën e Donatorëve për të dhënë bonuset e qirave. Nxorëm 5 pika për të ndihmuar biznesin, se po u fik biznesi në Durrës e pëson i gjithë vendin. Është një paketë e ngjashme me atë të Italisë që ndihmon biznesin në të tilla situata; Pezullo tatim-fitimin, bëj bilancin e dëmeve, bëj një subvencionim për taksat, faturat e energjisë dhe ujit”, u shpreh Basha.