Politika Basha ironizon Berishën: Ja kush ishin “personat e armatosur”

Basha ironizon Berishën: Ja kush ishin “personat e armatosur”

Lulzim Basha, në konferencën për shtyp në selinë e Partisë Demokratike, ironizoi deklaratat e Sali Berishës për persona të armatosur në seli, që i bënë presion mbështetësve të tij.

“Jorida Tabaku dhe Ina Zhupa ishin me kallashnikovë, Endri Hasa u kap në flagrancë në prani të një mortaje të kalibrit të rëndë, ndërsa Flutura Açka kishte pistoletë me silenciator”, tha Basha, duke shkaktuar të qeshura mes deputetëve demokratë që ishin të pranishëm në konferencë.

Sali Berisha pati deklaruar: “Janë futur banda të armatosura në selinë e PD-së. Ata që e kanë bërë, do të përgjigjen. Demokratët nuk mund të jenë të rrezikuar. E dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim kriminal, që dëshmon fytyrën e vërtetë të njeriut që për karrigen e tij, ka marrë peng, deri para dy ditësh, Partinë Demokratike. E garantoj se do të mbahet përgjegjës për çdo akt dhune që do të ushtrojnë banditët e tij këtu në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë. U bëj thirrje demokratëve të distancohen nga këto akte të turpshme që nuk kanë ndodhur kurrë në historinë e PD-së”.