“A nuk do të ishte një shenjë e mirë që t’ia lëmë demokratëve ta vlerësojnë në një proces të ndershëm të drejtë e të barabartë”. Kështu u përgjigj Enkelejd Alibeaj kur u pyet për garën e PD-së dhe kandidimin e Lulzim Bashës.
Në një deklaratë për mediat, ai tha se kjo e drejtë i takon anëtarësisë.
“Ne mund të kemi idetë tona, po askush nuk duhet të ketë fodullëkun se mendojnë më mirë e drejt se anëtarësia. Ne kemi një detyrë që zëri i tyre të dëgjohet. PD-ja nuk do të duhet të jetë më e njerëzve që e braktisin”.
Sipas tij, PD-ja e suksesshme është ajo që nuk do të varet nga humori dhe shija e kryetarit, por nga gjykimi i demokratëve.
“Pas një viti, luftë nga jashtë dhe nga brenda që PD-ja të dilte gjallë jo vetëm në numra, por në kuptimin koshiencës, që duhet një Parti Demokratike e ndryshuar vërtet në mentalitet për të parë gabimet e së shkuarës dhe të gjejë kapacitete që i duhet një parti rreth vlerave. PD-ja e suksesshme nuk duhet dhe nuk do të jetë një parti që varet nga shijet dhe humori i një individi, një parti që varet nga lideri i saj më mirë të mos ekzistojë. Nuk do të jetë një parti që do të varet nga perceptimi për Gjergj Hanin apo Lulzim Bashën. PD-ja është një mekanizëm që nuk varet thjesht se kush është në krye të saj, secili nga ata do t’i nënshtrohet gjykimit të demokratëve. Është detyrimi ynë t’ua japim të gjithë demokratëve që qëndruan në mënyrë epike në dy vite për ta mbajtur gjallë PD-në. Fati i tyre nuk varet nga njëri apo tjetri që mund të jetë kryetar partie. Partia nuk është grupi parlamentar. Grupi parlamentar është pjesa më e përzgjedhur e partisë që ka një mision. Të gjitha politikat do të duhet t’i çojë në këtë sallë, nuk ka grupi i PD-së asnjë të drejtë për të ndërhyrë në procesin organizativ të partisë. Deputetët janë shpirtra të lirë, mandati i tyre është jo detyrues. Kanë të drejtën e tyre të bëjnë zgjedhjen e tyre në një proces partiak. Në një Parti Demokratike kështu duhet të ndodhë. Nuk është çështje numrash, por vlerash. Nuk ka qenë një proces që i shërbente Lulzim Bashës”.
Sipas tij, sfida që ka sot PD-ja është nëse do të përqafojë vlerat apo do t’i nënshtrohet presionit.
“Një sfidë e madhe karakteriale, por edhe politike e kemi pasur përballë. Do qëndrojmë te PD-ja sipas vlerave që ajo duhet të mbartë, apo i nënshtrohemi sulmit dhe presionit aspak proporcional dhe në interes publik? Çdo anëtar partie ka lirinë e vet të zgjedhë. Dilema është do të rindërtojmë një parti rreth vlerave apo rreth ca interesave të vogla? Unë jam për të parën, të tjerët janë të respektuar në zgjedhjen e tyre”.
Alibeaj theksoi se anëtarë të Këshillit kombëtar demokrat janë të gjithë ata që qëndruan dhe nuk shkuan te LSI-ja.
“Do të duhet të kishim filluar zgjedhjet në PD. Ju duhet të besoni dokumentet, faktet, syrin e kamerave një pjesë e anëtarëve Këshillit Kombëtar kanë zgjedhur një strofull tjetër të majtë te LSI-ja dhe numri i atyre, i qëndruan PD-së në ditët më të vështira dhe nuk u tunduan, është 329”.