Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shkoi në Korçë për të vijuar takimet me qytetarët dhe bizneset e ndryshme. Ai takoi një pronar një dyqani ushqimoreje dhe një operator shpërndarjeje në këtë qytet.
Kreu i opozitës u shpreh se kur të vijë në pushtet do të fusë në karantinë 1-vjeçare inspektoratet. Kjo sipas tij do të çlirojë bizneset.
“Do të çlirojmë biznesit nga ankthi në të cilën është vendosur për shkak të terrorit dhe administratës duke futur në karantinë inspektoratet, duke futur një vit në karantinë inspektoratet në mënyrë që këta njerëz të mos përballen nga mëngjesi deri në darkë me inspektorë, tatimorë, me lloj-lloj taksidarësh që vijnë për xhepat e tyre dhe të drejtuesve të tyre”.
Basha u shpreh se biznesi i vogël do të taksohet vetëm 0.5% të xhiros vjetore.
“Sa i përket biznesit të vogël, nga 140 milionë e poshtë do të kenë vetëm një taksë 0.5% e xhiros vjetore, çdo taksë tjetër, çdo lloj tjetër forme do të zhduket. Për biznesin e madh do të vendosim taksën e sheshtë 9%”.
Ndërkohë një prej qytetarëve tha se në Korçë njerëzit kanë filluar të lenë pengje në dyqane për të marrë ushqime.
“Kanë filluar me pengje. Lejnë pengje ne dyqan, lejnë orendi shtëpie për të marrë baziken e shtëpisë. Dyqanet e vogla janë skandal fare”.