Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka folur pas protestës së zhvilluar pasditen e sotme, ku u bllokuan, për 60 minuta, pesë akset kryesore në vend.
Në një lidhje telefonike në emisionin “Të paekspozuarit”, në Neës 24, Basha theksoi edhe një herë se aksioni i opozitës nuk është për pushtet në tavolinë, por për të vendosur, sipas tij, bazat e demokracisë në vend.
“Opozita nuk kërkon pushtet në tavolinë dhe beteja nuk është për pushtet. Kjo betejë është për rregullat bazë të demokracisë, është për zgjedhje të lira e të ndershme, jemi në krizë kushtetuese e politike dhe pasojat janë kriza ekonomike dhe pasojat sociale. Opozita kërkon të kthejë themelin e bashkëjetesës demokratike, votën e lirë. Tirania është kur populli ka frikë qeverinë, liria, demokracia është kur qeveria të ketë frikë popullin.
Sot jemi në një situatë ku populli kërcënohet nga qeveria që ka marrë pushtetin nëpërmjet krimi. Jemi në një situatë tiranie të prodhuar nga marrëdhënia e Edi Ramës me krimin e organizuar. Kushti i panegociueshëm i opozitës është një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. Që të shkojmë në zgjedhje të lira na duhet një qeveri që të respektojë ligjin aktual. Beteja është për të sjellë standarte normale demokratike, nuk është për pushtet, por për të sjellë rregulla loje europiane”, tha Basha.
I pyetur nëse ka opozita një platformë të qartë se si do të funksionojë qeveria tranzitore, kreu i PD-së, u shpreh se ka një dokument detyrash të cilën po e konsultojnë me ndërkombëtarët.
“Ka një dokument detyrash të qeverisë tranzitorë të cilën po e konsultojmë me ndërkombëtarët. Kemi platformë për qeverinë tranzitore dhe nuk do ta mbajmë sekret, do të publikohet së shpejti, por jo sot. Do ta diskutojmë me të gjithë grupet e interesit që të na shërbejë për objektivin që i kemi vënë vetes: t’i garantojmë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh kreu i PD-së.
Sa i përket profilit që do të kishte kryeministri i një qeverie tranzitore, Basha u shpreh se e rëndësishme, sipas tij, është të jetë një person që nuk është bërë pjesë e vjedhjes së votave.
“E rëndësishme të kemi një kryeministër që nuk është bërë pjesë e bashkëpunimit kriminal për të vjedhur vota dhe që jep sigurinë e plotë se do të respektojë kushtetutën dhe ligjin”, tha Basha.