Pas Kavajës dhe Shkodrës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ndal këtë të mërkurë në Valias të Kamzës, ku bisedoi me banorët e përmbytur një vit më parë, por që nuk janë kompensuar për dëmet.
Basha kujtoi se qeveria Rama nuk dha asnjë cent për dëmshpërblim 700 familjeve të përmbytura.
Kjo sipas tij është një arsye më shumë për t’iu bashkuar protestës së opozitës më 16 Shkurt para Kryeministrisë.
“(Rama) Erdhi dhe lëshoi dy apo tre batuta e barsoleta, u rrahu krahun dy tre punëtorëve të bashkisë që po punonin, dhe i tha kryetarit do të kesh fondin 700 mijë Euro që të përballosh emergjencën. Natyrisht ishte një tjetër mashtrim. Asnjë kokërr leku nuk iu dha Bashkisë së Kamzës. Asnjë cent dëmshpërblim 700 familjeve të cilët u përmbytën për shkak jo vetëm të motit por pakujdesisë dhe neglizhencës së Edi Ramës”, tha Basha.
Kryedemokrati tha se nuk kemi pse ta kërkojmë më të drejtën tonë dhe fatin tonë tek një njeri që me këtë popull ka një dhe vetëm një sjellje, grabitjen, përbuzjen, mashtrimin dhe gënjeshtrën.
“Tani është koha të merrni në dorë fatin tuaj. Më 16 Shkurt unë do të jem në krahun tuaj dhe në ballë të protestës, por fjalën nuk do ta kem unë, fjalën do ta ketë populli, njerëzit e thjeshtë, të mashtruarit, të braktisurit, të vjedhurit, dhe kam besim se do të dini ta thoni me zë të lartë fjalën tuaj me 16 Shkurt.”