Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përkujtuar 70-vjetorin e masakrës së Qafës së Valmirit në Mirditë, ku u varën dhe u pushkatuan 14 mirditorë nga regjimi komunist.
Basha thotë se Mirdita nuk u gjunjëzua, dhe për këtë arsye demokracia shqiptare ia ka borxh Mirditës sakrificën e bërë gjatë regjimit diktatorial.
Kryedemokrati shprehet se shteti shqiptar duhet të kishte investuar përgjatë viteve në këtë zonë, që gjatë komunizmit ka patur numrin më të lartë të të dënuarve dhe pushkatuarve.
Deklarata e kreut të PD Lulzim Basha:
70 vjet më parë diktatura komuniste e angazhuar në një betejë të egër për të thyer rezistencën e Mirditës, në një shfaqje publike të terrorit, vari në litar dhe pushkatoi 14 nga bijtë më të shquar të krahinës, në Masakrën e Qafës së Valmirit.
Duke ndjekur porositë e vetë diktatorit gjakatar, “kapni, arrestoni dhe ekzekutoni njerëz me ndikim që të bëhen shembull për të tjerët, këto bëjnë përshtypje në popull”, veglat e verbra të Sigurimit Komunist varën 4 mirditorë dhe pushkatuan 10 të tjerë 17 gushtin e 1949-s, si një akt raprezalje pas vrasjes së Bardhok Bibës, ku rezultoi se nuk ishte i përfshirë asnjëri prej tyre, dhe si pjesë e strategjisë së terrorit ndaj një zone që nuk i ishte nënshtruar asnjëherë diktaturës.
Masakra u krye në prani të mijëra banorëve, të cilët u detyruan përdhunshëm ta ndiqnin këtë makabritet. Në raportimet e Sigurimit të Shtetit, thuhet se bashkë me të varurit dhe të pushkatuarit, ishte vënë në zbatim një valë e gjatë arrestimesh e internimesh, që do të përfshinin banorë të 24 fshatrave të Mirditës, nga rreth 32 që kishte zona në atë kohë.
Kështu Masakra e Qafës së Valmirit sëmboi drejtpërdrejt në familjet e rreth 90 % të fshatrave të zonës, dhe jehona e masakrës u përhap në të gjithë vendin. Me sjellje të pastra racizmi krahinor e fetar, vetë hierarkët komunistë e kishin deklaruar me dhjetëra herë se “të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarë të politikës sonë, ne i konsideronim armiq dhe përpiqeshim t’i zhduknim nga faqja e dheut, edhe pse asnjë s’meritonte të vritej”.
Masakra e Qafës së Valmirit është një prej akteve më makabre terroriste që diktatura komuniste kreu ndaj Mirditës. Ata ju turrën asaj si bisha të tërbuara për ta gjunjëzuar, copëtuar, shpërbërë, e për t’ia thyer krenarinë që i buronte nga historia e saj e lavdishme.
Mirdita, kjo trevë vitale, kompakte, katolike e antikomuniste nuk nënshtrohej kollaj, prandaj edhe kjo zonë ka përqindjen më të lartë të të vrarëve, të burgosurve dhe të të internuarve nga diktatura. I gjithë vendi, por edhe vetë demokracia shqiptare i është borxh Mirditës për çmimin e lartë të sakrificës që ajo pagoi për 50 vjet që të mbahej gjallë ideali i lirisë dhe dinjitetit të njeriut.
Në këtë zonë duhet të kishte patur për 30 vjet me radhë politika të diskriminimit pozitiv, jo vetëm për të rehabilituar numrin e lartë të të persekutuarve nga diktatura, por edhe për investime që do të rrisnin numrin e të arsimuarve, një mollë e ndaluar për shumicën e popullsisë së zonës gjatë 50 viteve diktaturë, do të rrisnin numrin e bizneseve të reja, do të ndihmonin fshatrat të rimëkëmbeshin dhe zonën të rigjallëronte traditat e veta të shkëlqyera, por në fakt këto politika kanë munguar.
Masakra e Qafës së Valmirit ka 70 vjet që dëshmon për këtë aparteid që është një mëkat i shtetit shqiptar. Për ushtrimin e këtij aparteidi s’kemi dëgjuar asnjë ndjesë, përkundrazi, kemi parë se si mundohet të mbahet gjallë me mënyra të ndryshme, duke vënë në krye e si përfaqësues të zonave zyrtarë gjakshprishur e përfaqësues të krimit.
Megjithëkëto, Mirdita ka vijuar me stoicizëm të japë dëshmitë e saj se beteja me të keqen më në fund do të fitohet, se do të mposhten dishepujt e sotëm të tezave raciste e të aparteidit shtetëror ndaj pjesëve të ndryshme të vendit e ndaj Mirditës posaçërisht.
Nderim përjetë martirëve të Mirditës!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!