Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit Ekonomik. Basha edhe njëherë u ka premtuar studentëve ndihmë kur të vijë në pushtet, pasi këta të fundit janë ankuar se janë më të prekur nga pandemia e COVID.
Gjatë bashkëbisedimit Basha ka folur për oligarkët në Shqipëri duke definuar dhe termin “oligarki”. Për kreun e PD, oligarkë janë ata që pushtetin e tyre ekonomik dhe politik e përdorin për vendime politike, ligje dhe kontrata.
“Oligarkë janë ata të cilët pushtetin e tyre ekonomik e përdorin për të diktuar vendime politike që nga ligjet, kontrata, leje, licenca dhe gjithçka tjetër. Ata që në bashkëpunim me një grusht qeveritarësh, pastaj vënë në kontroll të gjithë ekonominë, politikën dhe median e vendit. Rruga për t’u marrë me ta është ligji ynë Anti-Mafia. Të gjithë ata që plotësojnë këto kushte do t’i nënshtrohen një hetimi të thelluar administrativ dhe do t’i përcillen pastaj për ndjekje strukturave të posaçme anti-korrupsion”, u shpreh Basha.
Gjatë diskutimit kreu i PD ka prekur dhe temën e amnistisë fiskale, duke thënë se nuk mund të bëhet 4 muaj parazgjedhjeve.