Kryesore Basha: Largimi i Ramës, vetëm fillimi

Basha: Largimi i Ramës, vetëm fillimi

“Para drejtësisë hajdutët e votave, largimi i Edi Ramës, reformë e thellë politike dhe zgjedhje të lira e të ndershme”, janë këto parimet mbi të cilat mund të zgjidhjet kriza sipas Lulzim Bashës. Në një postim në rrjetet sociale, duke komentuar protestën e zhvilluar mbrëmjen e së premtes, kreu i PD thotë se largimi i Kryeministrit Rama është vetëm fillimi.

“Oqeani i shpresës mbrëmë në Tiranë, ky bashkim madhështor i vullneteve të qytetarëve është besimi i çdo shqiptari tek ndryshimi që po vjen. Kjo krizë do të zgjidhet jo mbi pazare, por mbi parime. Rruga për të dalë prej saj kalon përmes standardeve europiane: Para drejtësisë hajdutët e votave, largimi i Edi Ramës, reformë e thellë politike, dhe zgjedhje të lira e të ndershme. 30 qershori është varreza politike e Edi Ramës dhe Organizatës Kriminale të Rilindjes. Largimi i tij është vetëm fillimi”.

Basha thotë se është i nevojshëm ndryshimi i thellë i politikës dhe ekonomisë, bazuar në vlerat e parimet e demokracive perëndimore.

“Ne duhet të ndryshojmë thellësisht politikën dhe ekonominë bazuar mbi vlerat dhe parimet e demokracive të Perëndimit, që kurrë më, askush të mos marrë peng të ardhmen e shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre duke shkrirë në një shtetin me krimin dhe oligarkinë. Vetëm në këtë mënyrë do të garantojmë njëherë e përgjithmonë që Shqipëria të mos jetë më ajo që duan këta, Edi Rama, kriminelët, politikanët dhe oligarkët grabitqarë, por të jetë Shqipëria e të gjithë shqiptarëve, #ShqipëriaSiEuropa”, përfundon Basha.