Kryedemokrati Lulzim Basha e vlerësoi shumë të frytshëm takimin me ekspertët e Venecias, që kanë mbërritur në Tiranë me mision faktmbledhës për mendimin përfundimtar në lidhje me përplasjen mes Presidentit Ilir Meta dhe mazhorancës socialiste.
Kreu i PD-së doli para mediave në fund të këtij takimi, ku solli një shembull se përse vendi ndodhet në një krizë të thellë kushtetuese dhe politike.
“Shembulli më i mirë janë lëvizjet çoroditëse të një pushteti që nuk pret as opinionin e Venecias, por ka çuar për miratim në një Kuvend ilegjitim masa të tjera që forcojnë kapjen e shtetit, kapjen e drejtësisë, kapjen e Gjykatës Kushtetuese. E gjitha kjo ka çuar vendin në një kolaps total”, deklaroi ai.
Basha akuzoi mazhorancën se me vendimet e saj po kërcënon të drejtat dhe pronën e shqiptarëve.
“Sepse sot, Republika e Shqipërisë nuk është e shqiptarëve, por e një grushti pushtetarësh të lidhur me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh, që së bashku kanë kapur gjykatat, drejtësinë, pronat e shqiptarëve”, vijoi kreu i PD-së.
Basha nuk përmendi emra, se kush është pjesë e këtij grupi pushtetarësh, oligarkësh e kriminelësh, por foli me numra.
“Kjo nuk është demokraci! Ky nuk është shteti ligjor, ndaj me Komisionin e Venecias diskutuam problematikën që është rënduar që nga nisja e kapjes së drejtësisë dhe shkatërrimit të reformës në drejtësi. Do të vazhdojmë me Shqipërinë e 12 pushtetarëve dhe kriminelëve dhe oligarkëve, apo do të kthejmë Shqipërinë për të gjithë shqiptarët përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe përmes sundimit të ligjit dhe barazisë para tij”, u shpreh ai.
Basha nuk mohoi se opozita mund t’u rikthehet protestave nëse kërkesa e saj për qeveri kujdestare dhe zgjedhje të parakohshme do të refuzohet nga mazhoranca në Këshillin Politik.
“Zgjidhja që kërkojmë nuk e kërkojmë për veten tonë. Nëse pala tjetër do të vazhdojë të përdorë në mënyrë të paligjshme pushtetin e paligjshëm, paratë e pista të krimit të organizuar dhe të vendosë interesat e pushtetit të vet kundër interesave të shqiptarëve, atëherë opozita bashkë me qytetarët do të marrin vendimet që i takojnë një demokracie europiane për t’u përballur me një grusht njerëzish që kanë marrë peng vendin”, mbylli fjalën e tij kreu i Partisë Demokratike.