Kreu në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar fushatën e tij në Dibër për t’u rizgjedhur sërish në krye të partisë më të madhe opozitare. Në një takim me demokratët e Dibrës, Basha u shpreh se në këtë qytet shteti bëri njësh partinë me krimin.
Basha në fjalën e tij u shpreh se zgjedhjet e 25 Prillit, nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe hodhi akuza për vjedhje masive votash. Më tej ai hodhi akuza kundër atyre që thonë se nuk ka pasur vjedhje votash në 25 Prill, duke i quajtur përtacë dhe mendje lehtë.
“Ju e dini më mirë se çdokush se masakra zgjedhore e 25 Prillit ishte produkt i një makinerie veprimi i së cilës nisi këtu në Dibër në shtatorin e vitit 2016, u shtri anë e mbanë vendit në qershorin e vitit 2017 dhe mori formën më të egër që ka njohur në 30 vite pluralizëm në masakrën zgjedhore të 25 Prillit.
Ne e dinim që po futeshim në një betejë të pabarabartë dhe për këtë nuk kishim asnjë fije dyshimi, një betejë që s’kishte lidhje me rregullat normale të demokracisë. Por fakti është që ne u futëm apo kështu me besimin e madh se mobilizimi i strukturave tona, ase bashkimi rreth vlerave tona do të të frymëzonte një dallgë të ndryshimit të shqiptarëve që do ta mundte regjimin njësoj si në vitin 1991 patëm të njëjtën shpresë.
Sepse fakti është vëllezër dhe motra se ne u futëm në betejë pak a shumë si në 91-shin pa asnjë pushtet përveç pushtetit moral, por vetëm me kauzën e qytetarëve me dëshirën dhe shpresën e tyre për ndryshim për ballë një makinerie shtetërore të bërë njësh me krimin dhe oligarkinë e cila e derdhi lumë paranë e korrupsionit të drogës, të krimit dhe të fondeve buxhetore në të gjitha format dhe mënyrat.
Ju e dini se për çfarë po flas. E njihni po aq mirë arsenalin e poshtërsive që është derdhur, madje e njihni më mirë se disa që e komentojnë cektësisht dhe mendjelehtësisht nga Tirana masakrën zgjedhore të 25 prillit.
Sepse këtu larg syve përtacë të disave në Tiranë, shteti i bëri njësh me partinë, shteti i bërë njësh me krimin dhe oligarkinë merr forma edhe më të ashpra edhe më të dukshme duke mos i konsideruar si kundërshtarë politikë, si normalitet i pluralizmit, por si armiq, armiq për t’i përjashtuar, armiq për t’i hequr nga puna, armiq për t’i gjobitur, armiq për t’i goditur ju dhe familjet tuaja nga realiteti i dhimbshëm që gjithsecili prej jush e njeh fare mirë.
Prandaj nuk do të lodhemi së thëni se 25 Prilli nuk ishte asnjë lidhje me demokracinë. Demokraci në një sistem politik që për shumëkënd mund të thotë vetëm një fjalë, demokraci, por jo për ne, jo për partinë demokratike“, tha ndër të tjera Basha.