Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim, Basha, deklaroi këtë të mërkurë se partia e tij në krye të qeverisë do të mundësojë që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian.
“Kini besim, tek vetvetja, tek njëri-tjetri, siç kam unë për ju sepse bashkë me ju, bashkë me prindërit tuaj, por që po kështu di rrugën për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza, ne do ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE-së. Kështu do të garantojmë ardhjen e sipërmarrjeve të huaja”, tha Basha.
Sipas kryedemokratit Basha, anëtarësimi në BE është garancia përfundimtare që askush “nuk do t’i vërë më vargonjtë Korçës dhe Shqipërisë”.
Basha pati premtime konkrete edhe për të rinjtë e Korçës, atje ku po zhvillon takimet elektorale. Ai u shpreh se kampi i tij ka një plan konkret dhe nuk vjen me premtime boshe. Bashkëpunimi me organizata të ndryshme europiane, sipas Bashës, do ta bëjnë rininë shqiptare të gatshme për një treg pune me rroga dinjitoze.
“Kam nderin dhe kënaqësinë e jashtëzakonshme të ndaj këtu mes të rinjve, se PD dhe unë kemi gati që ditën e parë të qeverisjes planin së bashku me Aleancën Europiane të Universiteteve për të nisur hapat e parë që do ta bëjnë rininë shqiptare 100% të gatshme për një treg pune me vende pune dhe paga dinjitoze në Korçë dhe Shqipëri. Duke nisur nga fillimi i shtatorit, çdo i ri dhe e re shqiptare do të ketë mundësinë që nëpërmjet një platforme të mësojë pa paguar asnjë lek të vetëm 5 gjuhë të huaja. Po në Bashkëpunim me Aleancën e Universiteteve Europiane dhe KE që kanë ndarë për Ballkanit Perëndimor 226 mld Euro për të trajnuar rininë e Ballkanit dhe të gjithë po përfitojnë përveç rinisë shqiptare. Aspekti i dytë që dua të ndaj sot me ju është që si fillim online dhe kampusit të kombinuar, qeveria ime do të ofrojë 20 trajnime profesionale për rininë shqiptare nga teknologjia e informacionit dhe programimi tek inxhinieritë dhe profesionet që kanë të bëjnë me prioritetet tona të zhvillimit ekonomik”, tha Basha.