Në ndryshim nga një javë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk do të jetë në Milot, por në Elbasan gjatë protestës së opozitës, e cila do të bllokojë rrugët në 12 qarqet e vendit, duke nisur nga ora 18:00.
Ndërkohë, mësohet se kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, do të jetë te “Plepat” në Durrës, po ashtu si një javë më parë.
Si gjithmonë, në Tirane bllokohet ish-sheshi “Shqiponja”. Në Qarkun e Kukësit do të bllokohet aksi te Ura e Drinit, në hyrje të Rrugës së Kombit.
Në Shkodër, bllokimi kap rrugën që e lidh atë me Koplikun, ndërsa në Lezhë rrethrrotullimin e Milotit. Në kryqëzimin Burrel-Rrëshen-Klos bllokohet qarkullimi për Qarkun e Dibrës.
Te Plepat në Durrës do të bllokohet hyrja e autostradës dhe si zakonisht në Elbasan mbikalimi i Bradasheshit.
Në Korçë nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në hyrje të rrugës nacionale, ndërsa në Gjirokastër te kryqëzimi që lidh qytetin me Përmetin dhe Tepelenën.
Në Fieri, bllokimi bëhet në Urën e Mbrostarit, ndërsa në Vlorë te hyrja e autostradës drejt Levanit.
Javën e kaluar u bllokuan për një orë 5 nyje kyçe të akseve kombëtare.