Gjatë takimit me strukturat e njësisë nr.6 në Tiranë, Lulzim Basha komentoi dhe vendimin e gjykatës për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Basha deklaroi se dënimi i Tahirit vërtetoi drejtësinë e akuzave të bëra nga Partia Demokratike prej kohësh.
“Është ajo Parti Demokratike që nuk reshti së denoncuari prej ditës së parë aferat e Saimir Tahirit si ministër i Brendshëm. Njeriut që nga njëra anë shtypte dhe përdhoste kundër ligjit të drejtat e të gjithë shqiptarëve, e në veçanti të demokratëve në Kombinat, në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë dhe nga ana tjetër ishte në krye të operacionit të kanabizimit të vendit, një proces që ne e kemi denoncuar prej ditës së parë dhe që i ka sjellë të zeza dhe vetëm fatkeqësi vendit dhe familjeve shqiptare dhe prindërve shqiptarë të qindra mijëra bijve të tyre këtu dhe jashtë vendit. E pra, sot jemi bashkë këtu, ndërkohë që Sajmir Tahiri është dënuar dhe ndodhet në qeli. Që vërteton drejtësinë e betejës sonë, drejtësinë e kauzave tona”, tha Basha.