Në seancën e posaçme parlamentare për nismën e opozitës për të votuar “Vettingun në politikë”, kryedemokrati Lulzim Basha akuzoi qeverinë se po bashkëqeveris me krimin.
Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se në seancën e sotme parlamentare do të ketë “Vetting moral”. Këtë e argumentoi duke thënë se do të zbulohet cilët deputetë nuk duan vettingun në politikë, duke parë votën e tyre, pro apo kundër këtij projektligji të opozitës.
“Sot nga kjo sallë një vetting do të bëhet. Sot do të merret vesh cilët politikanë duan të jenë mbi ligjin. Dhe kanë frikë nga ky test. Kemi këtu një deputet që quhet Ergys Çyrbja i provuar si anëtar i bandës së Shullazit. Kemi akoma Fatmir Xhafën që ndihmoi vëllain t’i fshihet drejtësisë italiane. Kemi atë që do të vijë të flasë pas meje që ka deklaruar personalisht miqësinë me një kriminel të rrezikshëm dhe ka një aferë sot 60 milionë Euro. Kemi Alket Hysenin që vazhdon të qëndrojë këtu.
Kemi Arben Ahmetajn ortak me inceneratorët me njerëz të dënuar për krime në Belgjikë. Kemi Damian Gjiknurin, kemi Dakon e “339-ës” ku ka dalë vetëm maja e ajsbergut. Kemi Saimir Habilajn, kemi vetë Erjon Veliajn. Dhe natyrisht kreun e kësaj pune, i cili është i përfshirë drejtpërdrejt në kontaktin më intensiv me kriminelët e Shqipërisë. Nuk do të ketë sukses asnjë reformë pa e ndarë politikën nga krimi”, u shpreh Lulzim Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi Kryeministrin Edi Rama për futjen në Parlament të personave me rekorde kriminale, pastrimin e së cilës e bëri “Dekriminalizimi”, ligj i propozuar nga opozita. Megjithatë, sipas Lulzim Bashës, krimi vazhdon ende të kontrolle shtetin.
“Edi Rama solli në këtë sallë dhe ju dha çelësat e qeverisë llumit të shoqërisë. Fatura që shqiptarët kanë paguar këto 5 vite për këtë bashkim qelbësirash është para tavolinave tuaja, ku për herë të parë më shumë së gjysma e banorëve duan të largohen. Kjo sepse aleanca e Edi Ramës me krimin shkaktoi krizën më të thellë politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Plot 35 funksionarë të emëruar nga Edi Rama nuk janë më dhe nuk do të jenë funksionarë të zgjedhur apo emëruar për shkak të ligjit të Dekriminalizimit.
Në Parlament dhe në krye të shtetit sot kemi vëllezërit e mafiozëve, ushtarët e krimit, bashkëpunëtorët e trafikantëve. Sot krimi kontrollon tërësisht kupolën e shtetit shqiptar. Ata kanë kapur ekonominë, ata vendosin për buxhetin e shtetit, ata madje kontrollojnë edhe sinjalin televiziv. Sot opozita do të votojë amendamentin kushtetues i cili propozon të njëjtën zgjidhje për politikanët si ai që kemi votuar për gjyqtarët dhe prokurorët”, deklaroi Basha.