Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar në Peqin fushatën elektorale. Teksa ndaloi në qendër të qytetit të Peqinit, Basha kujtoi disa nga punët e bëra gjatë kohës së qeverisë së Partisë Demokratike.
Numri një i opozitës tha se rruga Tiranë-Peqin tani është më e shkurtër, pasi është ndërtuar tuneli që shkurton distancën.
“Për vite më radhë kam patur nderin të jem në mesin tuaj si deputet i qarkut të Elbasanit, pra edhe si deputet i Peqinit. Bashkë njihemi edhe sepse jemi takuar shpesh, por edhe sepse na kane lidhur hallet, problemet, sfidat, planet, zgjidhjet dhe sa herë që marr rrugën nga Tirana ën Elbasan. Sa herë që distanca midis qendrës së Tiranës dhe Kullës së Sahatit të Peqinit është bërë katër herë më e shkurtër për shkak të tunelit të Elbasanit kupton se sa e pandalshme është fuqia jonë kur jemi bashkë.
Por s’kam ardhur sot t’ju flas për punët që kemi kryer bashkë në të kaluarën frytet e së cilës i gëzon edhe Peqini. Nuk kam ardhur t’ju flas sot sepse e besoj se Elbasani edhe Peqini e ka Tiranën shumë më afër seç e kishte ëndërruar më parë. Nuk kam ardhur t’ju flas që ashtu siç ju premtova ne 2009-ën në fushatën tonë se në do t’i hiqnim vizat dhe shumë prej jush ju dukej një premtim i parealizueshëm dhe sot ja ku jemi çdo shqiptar, çdo banor i qytetit tuaj, çdo banor i Elbasanit lëviz pa viza në Europë.
Sot kam ardhur t’ju them, 8 vite j’ua ka ulur kokën Edi Rama me bandat e tij, 8 vite ju ka keqtrajtuar, ju ka fyer, i ka marrë nëpërkëmbë njerëzit që më shumë se çdo gjë tjetër vlerësojnë dinjitetin dhe respektin, njerëzit që duan të punojnë me punën e ndershme në një zonë kaq të bukur dhe të pasur siç është Peqini ku stresi psikologjik, varfëria kronike, papunësia i kanë shkatërruar ekonomitë familjare dhe kanë larguar mijëra të reja dhe rinj në emigracion. E pra, sot kam ardhur t’ju them le të bëhemi edhe njëherë bashkë, dita e ndryshimit po afron.
Peqini do ndryshim, Elbasani do ndryshim, Shqipëria do ndryshim. Dhe ndryshimi që po vjen është përfundimi i rrugës që kemi nisur bashkë duke e çuar Shqipërinë drejt Europës, duke sjell standardet europiane në ekonomi që do të thotë vende pune, do të thotë paga dinjitoze, do të thotë subvencione për fermerët dhe do të thotë që asnjë bir dhe asnjë bijë Peqini nuk do të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike. Sepse ne do të mundësojmë që rinia e Peqinit dhe e Elbasanit kualifikohet dhe të punësohet dhe të ndërtojë jetën e vet këtu në Peqinin tuaj të bukur, në Shqipërinë tonë të dashur.
E keqja që ka zaptuar ekonominë, që ka zaptuar vatrat tona, i ka orët e numëruara. Tmerri dhe frika që ka kapur nga revolta popullore, nuk fshihet dot as me teatër, as me cirk, as duke përsëritur të njëjtat premtime që ka bërë për 8 vite me radhë. Ke premtuar për 8 vite dhe ke gënjyer për 8 vite dhe vjen prapë të kërkosh edhe katër vite të tjera, shqiptarët e dinë fare mirë se çfarë i bëhet atij njeriu, i mbyllet dera në fytyrë, i thuhet boll më, ik, largohu! Ndaj ju ftoj të bashkohemi si asnjëherë më parë rreth Partisë Demokratike për të sjell ndryshimin që meriton Peqini.
Të gjithë bashkë, me votën tuaj për Partinë Demokratike, për numrin 9 më datë 25 prill do të hapim derën për ndryshimin, për punësimin, për mirëqenien. Katër vite ardhshme do të jenë vitet e një ndryshimi rrënjësor për Peqinin. Heshtja që ka pllakosur, zbrazëtia e dyqaneve, shpunësimi, dëshpërimi i fermerëve do të marrin fund.
Këtu do të kthehen te kulla e sahatit si kryeministri juaj i ardhshëm për të shijuar së bashku punësimin, mirëqenien, rritjen e të ardhurave dhe ndryshimin që do të përfshijë çdo familje të Peqinit, të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë! Nga të rinjtë dhe te rejat tek pensionistët të cilët kanë sakrifikuar një jetë të tërë, nga fermerët tek sipërmarrja tek investimet, tek shkollat dhe në çdo fushë të jetës, familjet me ndihmë ekonomike do ta ndjejnë ndryshimin“, tha ndër të tjera Basha.
Më tej premtoi se kur të marrë pushtetin do bëjë amnisti fiskale për faturat e OSHEE-së.