Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi programin elektoral në Parkun Olimpik të Tiranës. Gjatë fjalës së tij, Basha është shprehur së në qendër të programit të partisë së tij do të jenë qytetarët dhe interesi i tyre më i lartë. Një vëmendje të veçantë ai i kushtoi problemit të pronave. Ai tha se nëse do të jetë në pushtet, ky problem do të marrë fund dhe të gjitha pronat do u ktheheshin qytetarëve.
“Është e vërtetë që Partia Demokratike si parti e djathtë beson tek prona, tek shenjtëria e saj. Është e vërtetë që ne besojmë se nuk ka vlerë morale në një shoqëri që tjetërson pronën, por mbi të gjitha ne besojmë se bijtë e etërve janë zinxhiri më i rëndë në qafën e ekonomisë së Shqipërisë. Imagjinoni sot një pronar që i thonë ish-pronar, që nuk ja kthejnë pronën megjithëse është e lirë. Imagjinoni dikë tjetër që ja kanë zënë pronën dhe i thonë do të ta kompensojmë me 3-4% apo 5% të vlerës së tregut, ndërkohë që ai që ja ka zënë pronën po kështu vërtitet, sa tek legalizimet sa tek drejtoritë e titujve të pronave nga ligji 7501. 80 në 100 shqiptarë nuk kanë letrat e pronës, nuk jemi në Mesjetë, jemi më keq.
Një problem që shoqëritë moderne e kanë zgjidhur prej 600 vjetësh. Në Shqipëri vazhdon të kushtojë në bilancin e ekonomisë kombëtare dhe në bilancin e ekonomisë familjare. Nuk ka reformë më të rëndësishme për Shqipërinë evropiane. Nuk ka reformë më të rëndësishme për mirëqenien ekonomike, se t’i japim fund problemit të pronës, të zgjidhim një herë e mirë pasigurinë e pronës dhe të kthejmë në një mënyrë apo në një tjetër pronën tek i zoti 100%.
Ky angazhim nuk merret lehtë. Fatura për të kthyer pronën e plotë pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist apo nga 7501 postkomunist është 8 miliardë euro. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë, por gjithashtu jeni të vetëdijshëm se pa një mekanizëm që zhbllokon dhe zgjidh këtë çështje një herë e mirë, Shqipëria mbijeton, por nuk zhvillohet. Ndaj marrim përsipër që brenda dy viteve të para të qeverisjes sonë, krijimin e obligacionit për pronarët me vlerën e plotë të tregut për gjithë pronat e shpronësuara nga regjimi komunist, të pagueshme çdo vit në masën 1/20. Të tregtueshme që nga momenti e emetimit, emetimi me vlerë të plotë i obligacionit të shtetit shqiptare për të gjithë pronarët e shpronësuar të Shqipërisë. Për të gjithë ata të shpronësuar nga regjimi komunist për të gjithë ata që e shohin, por nuk e prekin dot pronën, për shkak të ligjit 7501.
Për të gjithë ata të cilët e kanë parë pronën të zënë e të zhvilluar gjatë procesit të ndërtimeve informale. Me një të rënë, ne do të marrim përsipër jo vetëm barrën financiare të konsiderueshme, por dhe zgjidhjen e problemit të titujve sipas parimit ‘kush e ka e gëzon’. Kujt i është zënë do të shpërblehet me vlerën e tregut me obligacioni shqiptar për pronarët. Dita kur ky akt, kur kjo reformë e munguar do të përmbyllet është dita e parë e Shqipërisë së zhvilluar. Është dita e parë e shqiptarëve të lirë, është dita e parë e Shqipërisë evropiane. Me certifikatat e pronës në dorë një fermer që posedon më në fund titullin e tokës, një kryefamiljar që më në fund posedon titullin mbi apartamentin, shtëpinë, biznesin apo dyqanin kthehet menjëherë në një faktor financiar në tregun bankar dhe në tregun e përgjithshëm financiar të vendit, në tregun financiar rajonal edhe më gjerë.
Çdo certifikatë prone, çdo tatim, çdo vërtetim i padiskutueshëm dhe i pakontestueshëm i pronës është njëkohësisht edhe akses për financim, financim për biznesin, financim për fëmijët, financim për çdo familje shqiptare. Në momentin që PD do të përfundojë reformën e pronës, prodhimi i brendshëm bruto i Shqipërisë do të dyfishohet dhe Shqipëria marshon e sigurt drejt së ardhmes,” tha Basha.