Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, e vijoi turin e takimeve me qytetarët në Sarandë, nga ku u shpreh se ditën e sotme do të jetë në 9 qytete.
Ai theksoi edhe njëherë tjetër se pa largimin e Edi Ramës nuk ka ndryshim në Shqipëri.
“Bashkohuni me ne, bashkohuni me ndryshimin sepse qeveria jonë do të jetë qeveria e çdo shqiptari, sepse ndryshimi do të jetë i prekshëm për çdo shqiptar. Edhe Edi Rama e ndjen etjen e shqiptarëve për ndryshim. Edhe ai e ndjen forcën e papërballueshme të shpresës dërrmuese të shqiptarëve për ndryshim. Edhe ai e ka mësuar se me 25 prill ai do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë. Ndaj tani kërkon të bëhet pjesë e qeverisë tonë.
Përgjigja jonë është jo, koha jote ka mbaruar, tetë vite me radhë nuk bëre asgjë për shqiptarët. Tetë vite me radhë grabite me ortakët e tu taksat, rrite çmimet, grabite pasuritë e sarandiotëve dhe të gjithë shqiptarëve. Tetë vite me radhë dështime nuk ka më kohë për Edi Ramën, asnjë orë më shumë, me 25 prill e largojmë me votë. Vëllezër dhe motra, të gjithë e kanë kuptuar, edhe socialistët e kanë kuptuar, nuk ka ndryshim pa e larguar Edi Ramën. Nuk ka ndryshim duke pranuar edhe 4 vjet të tjera dështime, si këto 8 që kaluam. Ndaj, letë bëhemi të gjithë bashkë dhe të bëjmë të mundur ndryshimin për çdo shqiptar. Votoni numrin 9 për fëmijët tuaj, votoni numrin 9 për punësimin, votoni numrin 9 për ndryshimin, votoni numrin 9 për mirëqenien, 9 për të ardhmen, 9 për shpresën. Qeveria e dalë nga vota juaj do të jetë qeveria e njerëzve, do të jetë qeveria juaj, do të jetë qeveria e gjithë shqiptarëve. Dhe ne do të punojmë fort për ekonominë, për të hapur vende pune, për të sjellë investime të huaja, për të zgjatur sezonin turistik dhe për t’i bërë të mundur çdo punonjësi, çdo sipërmarrësi në sektorin turistik të jetoj një dhe të punojë me të ardhura të bollshme duke ja hequr nga fyti lakun e shtrënguar të 8 viteve abuzivizëm, arrogancë, gjoba dhe terror shtetëror. Qeveria që do të vijë pas zgjedhjeve të 25 prillit, do të jetë qeveria që brenda 100 ditëve të para do të hapë negociatat dhe do të rihapë rrugën drejtë Europës”, tha Basha.