Kryetari i opozitës Lulzim Basha ishte në Dajç këtë të shtunë ku vizitoi shkollën 9-vjeçare “Shtjefën Maçi”. Prindërit i treguan Bashës se fëmijët janë zhvendosur larg, në Dajç të ri ose në Shkodër për të ndjekur mësimet.
Ndërsa fëmijët i thanë Bashës se udhëtojnë çdo ditë me furgon në orën 6:30 për të shkuar në shkollë në Shkodër dhe kthehen pas orës 14:00, duke e bërë të mundimshëm rrugën për shkollë.
Një tjetër nxënëse i tha Bashës se shkolla në Dajç u mbyll këtë vit për shkak të pakësimit të numrit të fëmijëve pas largimit nga Shqipëria të nxënësve dhe familjeve të tyre.
“Do të bëj gjithçka që njerëzit të mos ikin as nga Dajçi, as nga Shkodra dhe për këtë më duhet ndihma e të gjithëve. Ne do të garantojmë shkolla të hapura në çdo cep të Shqipërisë dhe me alternativën tonë për transformimin ekonomik të vendit do t’i japim fund largimit masiv të shqiptarëve”, u shpreh kryetari i PD-së.