Nga Durrësi, Lulzim Basha sulmoi edhe njëherë Sali Berishën se për hallin e tij personal ka vendosur demokratët përballë njëri-tjetrit në një moment të paprecedentë.
Basha tha se pakicën e udhëhequr nga Berisha nuk i bashkon asnjë ideal, asnjë kauzë, ndërsa i kujtoi ish-kryeministrit se premtoi se nuk do ta merrte partinë peng kur u shpall non-grata.
“Nuk kemi ardhur për të sharë asnjë demokrat të vetëm. Nuk kemi ardhur për të shpifur kundër askujt dhe jo më ndaj anëtarëve të familjes tonë politike. Nuk kemi ardhur të gënjejmë. Askush nuk ka ardhur për veten. Të gjithë kemi ardhur për PD, për Durrësin dhe Shqipërinë. Një pakicë e vogël mblidhet për shkak të të kundërtave, mblidhet për të shpifur, gënjyer, demokratët, themelues e qëndrestarë.
Intelektualë të Durrësit që për 3 dekada nuk u kujtua PD as në pushtet e as në opozitë, për të fyer të rinj sepse mendojnë ndryshe. Ata janë një pakicë sepse nuk i bashkon asnjë ideal, asnjë kauzë, vetëm halli personal i një njeriu, i cili premtoi se nuk do ta merrte partinë peng. Halli personal i tij shpallja non grata nga SHBA për korrupsion. Tani që e shohim sesi sillet me demokratët, si i mashtron, si i gënjen. Ajo që ndodhi në 8 janar është një vijë ndarëse, një vijë e kuqe”, tha Basha.