Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga Shijaku u bëri apel institucioneve të ndihmojnë qytetarë, pasi janë qindra familje që kanë mbetur jashtë.
“Sapo pashë nga afër situatën në Shijak, ku qindra banesa janë të pabanueshme, sidomos në zonën e “Luginës”. Shumë qytetarë flenë nëpër makina, dhe një pjesë tek të afërmit. Banorët kërkojnë vëmendje më të madhe. Ata më thanë se përveç ditës së parë, nuk ka patur asnjë kontakt më nga autoritetet. Nuk kanë asnjë ide çfarë do të bëhet me ta”, – tha ai.
Po ashtu, Basha shton se “sot është nata e katërt që nuk futen dot në banesa. Kanë nevojë për ndihma materiale, ushqime, dyshekë dhe batanije. Banorët ankohen se ndihma e ofruar deri më tani është e pamjaftueshme. Përveç zonave të goditura rëndë si Durrësi dhe Thumana, duhet menjëherë t’u vihet në ndihmë edhe zonave të tjera ku njerëzit janë në vështirësi të mëdha dhe ndihen të braktisur”.