Kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha mbrëmjen e sotme se pavarësisht faktit se vendimet në selinë blu kanë qenë kolegjiale, një pjesë e tyre, pavarësisht asaj që thuhet sot, janë kërkuar me ngulm publikisht nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Basha e bëri deklaratën gjatë një interviste më Zërin e Amerikës, ku shtoi se qëndrimet e tilla i kanë papaprirë dhe u janë mbivendosur forumeve të PD-së.
“Unë kam kaluar shumë sprova këto 8 vite në krah të demokratëve. Betejat tona kanë qenë beteja parimore, nuk kanë qenë beteja në kuptimin e ngushtë për avantazh politik. Ne kemi luftuar kundër krimit në politikë dhe kemi arritur dekriminalizimin. Në këtë kuptim ajo që mund të them është se pa diskutim protagonizmi i zotit Berisha, dukshëm kësaj radhe edhe për mua këto dy muaj, por dukshëm për një kohë të gjatë, është perceptuar nga publiku i gjerë edhe nga ajo pjesë e publikut që është e rëndësishme si vendimmarrës me votë, si një dualizëm në vendimmarrje. Vendimmarrjet e Partisë Demokratike kanë qenë të gjitha vendime kolegjiale, por në kundërshtim me atë që thuhet sot, një pjesë e mirë e këtyre vendimmarrjeve janë kërkuar me ngulm publikisht dhe duke i paraprirë dhe duke iu mbivendosur edhe forumeve të Partisë Demokratike, të gjitha forumeve nganjëherë e vetë kryetarit të Partisë Demokratike”, tha Basha.
Basha: Lëvizja e Berishës përçarëse e personale, shoqërohet nga figura të dyshimta
Kreu i PD-së, Basha, ka theksuar se vendimi për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar ka qenë detyrë e tij e ngarkuar nga statuti.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryedemokrati pohoi shpallja non grata e ish-kreut të partisë ishte goditje e rëndë për PD-në por në kushtet e faktit të kryer, ai ka qenë i detyruar të marrë vendimin. Ai theksoi se vendimi i tij e theksontë PD-në si një forcë properëndimore.
“Detyra e kryetarit të Parisë Demokratike, pas masakrës së 25 prillit është që t’i shërbejë interesit të vendit duke e mbajtur Partinë Demokratike të fortë e të bashkuar, e çështë më e rëndësishmja, në aksion kundër këtij regjimi. Ajo që ka ndodhur me shpalljen non grata të Sali Berishës nga Departamenti i Shtetit, ishte padiskutim një goditje e rëndë për Parinë Demokratike. Është lideri historik me një kontribut 30 vjeçarë në jetën e Partisë Demokratike, me dritëhijet e veta padiskutim, por konteksti në të cilën kjo ndodhi, kërkonte një vendimmarrje. Dhe vendimmarrja ishte fare e qartë, o do të zgjidhnim një standard të vendosur tashmë nga Partia Demokratike. Pra, të merrnim qëndrimin dhe vendimin që mora për të qëndruar si një forcë Pro perëndimore, Pro amerikane, siç kemi lindur, siç do të vazhdojmë, ose të vendoseshim në pozita kundërshtie me aleatin tonë strategjik”, tha Basha.
Ai shtoi më tej se Berisha nga ana e tij, në kundërshtim me zotimin publik, e përfshiu PD-në e grupin parlamentar në një betejë personale brenda llojit.
Bashës vijoi duke thënë se Berisha e ata që qëndrojnë pranë tij, përdorin gjuhë linçuese ndërkohë që një pjesë të figurave i konsideroi si të dyshimta. Basha e akuzoi Berishën se ka nisur një lëvizje përçarëse për interesat e tij.
“Zhvillimi i parë për fat të keq, është që në kundërshtim me zotimin e tij publik, Sali Berisha jo vetëm që e përfshiu Partinë Demokratike dhe grupin parlamentar në këtë betejë që e konsideroi personale, por e ka kthyer këtë betejë personale në një betejë brenda llojit. Me një stil linçues të tijin personal dhe të një grupi të ngushtë njerëzish të tij që veprojnë sa në sytë e publikut, sa në ilegalitet, figura të dyshimta, të cilat disa prej tyre vijnë dhe nga jashtë Shqipërisë, që pretendojnë se janë ata që nuk janë, të cilët përdorin një gjuhë linçuese, përdorin gënjeshtrën, spekulimin për të fshehur një të vërtetë të thjeshtë, Sali Berisha është shpallur non grata nga SHBA-të. Ndaj, padiskutim ajo që ka rrjedhur është diçka e pakëndshme, është një lëvizje përçarëse për interesa personale të Sali Berishës dhe kundër interesave të çdo demokrati”, tha Basha.