“Me Edi Ramën si Kryeministër dhe pa opozitën nuk do të ketë zgjedhje më 30 Qershor”.
Kështu ka deklaruar kryedemokrati Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në aktivitetin e koalicionit opozitar ku u prezantuan detyrat e qeverisë tranzitore.
“Kemi ndërmarrë këtë hap sot pasi e kemi të qartë se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë. Zgjedhjet pa opozitën janë farsë. Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme do t’i kthejnë legjitimitetin Shqipërisë. Parlamenti është kthyer në një vegël të oligarkisë”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ish-deputeti dhe eksperti ligjor i PD-së, Oert Bylykbashi bëri publike platformën për zgjedhje të lira dhe detyrat e qeverisë tranzitore.
DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE:
1- Goditje me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe manipulimin e zgjedhjeve.
2- Ndalim i presionit qeveritar mbi drejtësinë për t’i hapur rrugë hetimit të bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe pushtetarëve për manipulimin e zgjedhjeve.
3- Monitorim i rreptë dhe goditje me tolerancë zero ndaj presionit mbi administratën publike dhe zgjedhësit.
4- Ndalim i prokurimeve, tenderave, koncesioneve\PPP-ve, licensave, favoreve dhe abuzimeve të tjera me burimet shtetërore.
5- Kontroll dhe marrje masash për emërimet dhe shkarkimet e paligjshme nga administrata publike dhe kompanitë shtetërore, si dhe për ndryshimet e paligjshme në listat e ndihmës ekonomike, personave me aftësi të kufizuar etj.
6- Pajisje e shtetasve me letërnjoftime, skema lehtësuese dhe hetim penal i fallsifikimeve të letërnjoftimeve.
7- Regjistrim i adresave të të gjithë shtetasve dhe hartim me integritet i listave të zgjedhësve.
8- Hetim dhe ndëshkim me tolerancë zero i votimit fiktiv të emigrantëve.
9- Shkëputje e lidhjes së policisë me krimin, goditje e policëve të inkriminuar, angazhim i policisë kundër krimit zgjedhor dhe garantim i sigurisë në zgjedhje.
10- Raportim me transparencë i veprimtarisë ligjzbatuese dhe akses i besueshëm për opozitën.