“Zgjedhjet pa opozitën janë farsë. Ne nuk do të lejojmë më që krimi të diktojë zgjedhje në Shqipëri”. Kështu ka deklaruar Lulzim Basha në mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve, zhvilluar sot në selinë e Partisë Demokratike, ku edhe u vendos mbajtja e protestës së ardhshme kombëtare, më 11 maj, në orën 18:30.
“Zgjedhjet do të mbahen pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të vitit 2017. Me Edi Ramën dhe me Dakon e Gjiknurin në krah të tij nuk mund të ketë zgjedhje të lira as sot, as mot. Prandaj largimi i tij i hap rrugë zgjidhjes politike që kemi kërkuar ne, opozita e bashkuar dhe legjitime e Shqipërisë, për të hapur dialogun me qeverinë e re tranzitore për masat që duhen marrë për të krijuar kushtet për zgjedhjet”.
Përveç protestës së 11 majit, Kolegji i Kryetarëve ka vendosur edhe për përshkallëzimin e aksionit opozitar, duke nisur me protesta rajonale në akset kryesore kombëtare nga kjo e enjte.