Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi mbrëmjen e sotme në një intervistë në ABC se nuk pendohet për vendimin që mori për pezullimin e Sali Berishës nga grupi i PD-së, pasi SHBA e shpalli “non grata”.
“Nëse i referoheni vendimit të DASH, qëndrimi im mbetet i njëjtë dhe nuk duhet askush nga demokratët ta komentojë. Vendimi është marrë pas një serie ngjarjesh dhe njihen qëndrimet e SHBA pas shpalljes së Berishës “non grata” dhe pozitës që u vendos PD.
Ajo që kam thënë është formuluar me kujdesin maksimal, bindja ime, interesi as i Berishës dhe as Bashës nuk do të prevalojë mbi interesat e demokratëve dhe dua ta them, interesat e PD-së që është alternativa e vetme e këtij pushteti të korruptuar.
Bindja ime në lidhje me vendimin që kam marrë është që kam marrë vendimin më të vështirë, por vendimin më të drejtë. Do të ishte më e lehtë të merrja vendime të tjera, por do të shkonin në dëm të PD-së dhe demokratëve dhe do të ishin më rënduese për Berishën”, tha Basha.
Por cila është bindja e tij, a ka kryer korrupsion Sali Berisha, ashtu sikur e akuzon SHBA? “Unë nuk kam ndërmend të pështyj mbi asgjë të 16 viteve bashkëpunim me Berishën. Kemi pasur arritje të jashtëzakonshme për Shqipërinë, edhe problemet dhe gabimet tona”, tha Basha.
“M’u ul në gjunjë për anulimin e zgjedhjeve lokale”, Basha: Meta të tregojë vërtetën
Mashtrime i ka quajtur Lulzim Basha deklaratat e Ilir Metës i cili tha se kreu i PD i është ulur në gjunjë që të anulonte zgjedhjet.
“S’kam hapur front me Metën. Jam pyetur për episode të caktuara dhe kam thënë mendimin tim, gjërat që kam thënë me diplomaci do i them troç. Është e pamohueshme në PD dhe LSI që futja e metës në mënyrën si u fut në fushatë ishte shkatërrimtare për fushatën e LSI dhe me kosto për PD”, tha ai.
“Janë mashtrime dhe gënjeshtra. Meta e di shumë mirë kush ia ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve të qershorit. Jam në dijeni, është në nderin e tij të mos gënjejë dhe të thotë të vërtetën. S’jam zëdhënësi i Metës. Është në nderin e tij të thotë se kush ia ka kërkuar”, tha Basha.