Pas daljes së gjatë në konferencën për mediat të Edi Ramës, pak pas tij ishte kreu i PD, Lulzim Basha që e bëri një gjë të tillë.
Basha iu drejtua Ramës duke i thënë të mos kaloi caqet, teksa foli për protestën e mbrëmjes së të shtunës.
“Ajo që i bashkon të tëra problemet është sensi i anormales në vend. Jetojmë në një shtet anormal. Prej 6 vitesh vendi nuk qeveriset, por sundohet dhe kur ndodh kjo fati është në dorë të një apo disa personave që janë jashtë vullnetit tënd.
Kjo mori forma dramatike mbrëmjen e kaluar, ku përballë u gjendën protestues të bashkuar nga halle të ndryshme dhe nga ana tjetër përgjigjet një juntë kriminale. Dje banorët e Tiranës kanë marrë doza të larta të gazit helmues, që u përdoren bashkë me dhunën e pafre kundër protestuesve. Sot, është e qartë se mirëkuptimin që tregoi për rrahjen barbare të Dollapit, u pa qartë se sa i shkëputur është nga realiteti ky sundimtar që e shikon këtë ngjarje si një film nga vila e tij miliona dollarëshe në Surrel. Ky bën herë gastorin e herë të fortin e lagjes. Është e qartë se kështu nuk mund të vazhdohet më. Beteja që kemi nisur së bashku nuk është një betejë e nisur për pushtet. Sot, Edi Ramën e ka mundur lodhja, pushteti, zullumi, arroganca, hajnia. Sot, opozita e bashkuar është nisur për të rikthyer normalitetin në vend, për të rikthyer shpresën dhe demokracinë në këtë vend.
Pas dramës së mbrëmshme, të dhunës kundër opozitarëve dhe në prag të protestës së thirrur nesër. Paralajmëroi kreun e klikës në pushtet, mos i kalo caqet. Harroje të mbash pushtet me dhunë. Në rastin më të mirë, do të lutesh të kesh fatin e Gruevskit”, tha Basha.