“Arrestimet e sotme, janë si rezultat i punës së jashtëzakonshme dhe profesionale të Partisë Demokratike në Komisionin Hetimor Parlamentar, por kjo nuk mjafton”.
Kështu deklaron ish-kryetari i Paritë Demokratike, Lulzim Basha në një postim në Twitter në lidhje me urdhër-arrestet e lëshuara sot nga SPAK për inceneratorët e Tiranës dhe Fierit.
Basha nënvizon se komisioni faktoi se urdhëruesit dhe përgjegjësit kryesorë të kësaj afere janë ministra dhe kryeministri.
“Asnjë shqiptar nuk e beson se një aferë kaq e madhe korruptive është bërë pa dijeninë e Edi Ramës. Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta, shqiptarët nuk mund të kenë mirëqenie”, shkruan deputeti.
Ky është reagimi i parë i Lulzim Bashës pas dorëheqjes si Kryetar i Partisë Demokratike.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lëshuar 9 urdhër-arreste me kërkesë të SPAK, pas hetimeve për inceneratorët.
Personat që akuzohen nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre janë: Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Florjan Muçaj, Erjon Murataj, Klodian Zoto, Arenc Myrtezani, Sabina Cenameri dhe Etleva Kondi.