Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kanë zhvilluar homazhe pranë Monumentit Nënë Shqipëri si dhe pranë vendit ku prehet Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari.
Basha tha se për lirinë dhe vlera te saj luftohet në çdo kohë, ndërsa ka përkujtuar edhe shqiptarët e vrarë në trojet e Shqipërisë etnike në luftërat e tyre për liri.
“Është një ditë reflektimi për t’u bashkuar për të mbrojtur lirinë dhe vlerat e saj, të vetëdijshëm se për lirinë shkohet në betejë çdo ditë. Përulemi me respekt përpara dëshmorëve të luftës antifashiste. Kujtojmë sot me dhimbje të madhe të gjithë ata që pasi sakrifikuan për lirinë kombëtare ranë fli e kthetrave të diktaturës gjakatare që shkatërroi, përdhunoi dhe vrau lirinë e qindra familjeve shqiptare. Përulemi sot para bijve të Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë dhe Preshevës që luftuan në luftërat e fundit çlirimtare. Sot është po kështu një ditë ku gjithsecili prej nesh të ndjejë mbi supe peshën e rëndë të sakrificës”, theksoi ai.