Mbi vlerësimin me çmimin Nobel për letërsinë, të shkrimtarit austriak, Peter Handke ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ndër të tjera, Basha u shpreh se të shohësh çmimin Nobel të shkojë për dikë që mbronte dhe justikonte autorin e tmerreve më të mëdha në Europë pas Holokaustit, është tronditëse dhe revoltuese.
“20 vjet më parë shërbeva si pjesë e ekipit të Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi, që ngriti aktakuzën kundër Milosheviçit për krime lufte dhe gjenocid. Të shohësh çmimin Nobel të shkojë për dikë që mbronte dhe justifikonte autorin e tmerreve më të mëdha në Evropë pas Holokaustit, është tronditëse dhe revoltuese. Ditë e trishtë për vlerat tona”, shkruan kryeopozitari në Tëitter.
Duhet thënë se Handke është pozicionuar historikisht në anë të Serbisë përsa i përket Luftës Jugosllave duke u cilësuar shpeshherë si individ me prirje nacionaliste të ekstremit serb. Madje ish-presidenti jugosllav Millosheviç, i njohur ndryshe si “kasapi i Ballkanit” kërkoi dikur që shkrimtari të thirrej në gjykatë si dëshmitar i tij mbrojtës, përsa i përket krimeve të luftës së ish-Jujgosllavisë, ndonëse Handke nuk pranoi.
Mbi marrjen e çmimit Nobel nga Handke kanë reaguar edhe figura të tjera politike, përfshirë këtu kryeministrin Edi Rama apo ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. Nga ana tjetër, autorët bashkëkohorë e kanë cilësuar zgjedhjen e Handke-s si shqetësuese.