Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi për nismën “Open Balkan” të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, që deri dje njihej si Minishengeni Ballkanik.
“Mendoj që këto takime po bëhen kaq shpesh, sa nuk po e kuptojmë se pse po bëhen dhe çfarë të reje po prodhojnë, përveçse protagonizmit të tepruar politik të atyre që janë në këto takime. Pozicioni i Partisë Demokratike është që lëvizja e lirë në rajonin tonë të funksionojë, duhet t’i japim fund hipokrizisë, duhet urgjentisht të punohet për eliminimin e kërcënimit të fundit për paqen dhe stabilitetin në rajon, që është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Të na kursejnë një film të parë e të stërparë, që nuk po prodhon gjë për qytetarët”, tha Basha pas takimit me Kryetarin e Komunës së Bujanovcit, Nagip Arifi.
“Asnjë takim nuk mund të shërbejë si alibi për t’u ikur detyrimeve kushtetuese që ka çdo kryeministër shqiptar për t’u kujdesur për fatin e shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë. Fati i tyre i keq është që çregjistrohen në mënyrë të paligjshme për të bërë një spastrim etnik të Luginës së Preshevës. Nuk e di sa kohë i ka kushtuar Edi Rama këtij problemi kur flet me mikun e tij Vuçiç, dhe nëse i ka kushtuar ndopak kohë, e ka mbajtur sekretin mjaft mirë”, shtoi Basha.