Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzon se qeveria “Rama” gjatë qeverisjes 7-vjeçare ka shkatërruar ekonominë si dhe nuk ka bërë investimet e nevojshme në shëndetësi.
Basha thotë se, ata që mendojnë se situata nuk mund të jetë më mirë, ai thekson se me ardhjen e PD-së në pushtet do të ketë një qeveri që punon për njerëzit dhe ka një plan kundër pandemisë.
“Pas 7 vitesh plot dështime, ku Rama vetëm e shkatërroi ekonominë dhe shëndetësinë, shumëkush priret të mendojë se nuk mund të jetë ndryshe. Por e vërteta është se mund dhe do të jetë ndryshe – bashkë ne do ta bëjmë realitet!
Përfytyroni një qeveri që punon për njerëzit, që jep ndihmë financiare për çdo familje. Një qeveri që ka një plan kundër pandemisë, që investon tek shëndetësia”, shprehet Basha.
Vetëm pak minuta pas këtij postimi nga kreu i PD-së në Twitter, ka ardhur dhe kundërpërgjigjja e kryeministrit, Edi Rama. Kreu i qeverisë ironizon me pjesën ku Basha fton të imagjinojnë qytetarët një qeveri që punon për ta.
“…dhe një kryeministër që flet në gjumë dhe fle në këmbë”, shkruan Rama në Twitter.
Shëndetësia për shkak edhe të pandemisë së COVID-19 është kthyer në një prej temave kryesore të debatit politik në vend.
Opozita vazhdimisht ka ngritur akuza se, qeveria e majtë ka shpenzuar një pjesë të mirë të buxhetit të shtetit për koncesione dhe kontrata të partneritetit publik privat duke mos i përqendruar tek shëndetësia dhe ndihma për bizneset dhe qytetarët e prekur nga pandemia.
…dhe një kryeministër që flet në gjumë dhe fle në këmbë😀 pic.twitter.com/ENfhmnBSxs
— Edi Rama (@ediramaal) November 16, 2020