Pas vizitës së ambasadorit amerikan, Donald Lu në zyrën e Lulzim Bashës, në selinë blu pritet të mbërrijnë edhe ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ambasadorët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Greqisë do të jenë në mesin e pjesëmarrësve, raporton Politiko.al. Takimi pritet të zhvillohet rreth orës 16:30.
Burime nga PD, bëjnë të ditur për Politiko.al se ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin nuk do të jetë pjesë e takimit.
Nuk është hera e parë që Basha nuk preferon praninë e Vlahutin në zyrën e tij, madje në disa vizita të rëndësishme nga zyrtarët e Brukselit, kryetari i PD-së ka zhvilluar bisedime pa praninë e ambasadores.
Demokratët e akuzojnë Vlahutin si tërësisht në krah të qeverisë së kryeministrit Edi Rama në raportimet që bën në Bruksel për situatën në Shqipëri, veçanërisht në problemin e kanabisit.
Më herët ishte ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, që kërkoi një takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, i cili e priti në zyrën e tij.
Takimi zgjati rreth 70 minuta dhe u zhvillua dy ditë pas protestës së opozitës para Kuvendit dhe zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme vetëm me votat e mazhorancës. Qëndrimet e Ambasadës së SHBA-së sollën përplasje me Partinë Demokratike.