Kryedemokrati Lulzim Basha ka pranuar përgjegjësinë për humbjen në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, por nuk jep dorëheqje.
“Përgjegjësia bie te të gjithë, por fillon me mua”. Kështu ka deklaruar Lulzim Basha në mbledhjen me dyer të mbyllura me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike dhe kandidatët në zgjedhjet e pjesshme vendore, pas humbjes së thellë.
Ai u bëri apel demokratëve që të qëndrojnë dhe të tejkalojnë kultin e individit, për një parti më të fortë.
“Secili duhet te mbaje përgjegjësi. Ne kemi në dorë të qëndrojmë, të bëjmë betejë, të bëjmë ndryshime, të tejkalojmë kultin e individit, për një parti më të fortë”, ka thënë Bala në mbledhje.
Ndryshe nga mbledhja e mbrëmshme ku shumica e deputetëve i kanë kërkuar Bashës të japë dorëheqjen dhe të hapë mundësinë për zgjedhje në parti, në mbledhjen e sotme Basha ka patur një diskutim më të qetë.
Ka patur kryetarë degësh që kanë kërkuar që Basha nuk duhet të largohet pasi sipas tyre në zgjedhjet e 6 marsit pati shitblerje votash.
Por në këtë mbledhje nuk i janë përgjigjur të gjithë krerët e degëve thirrjes së Bashës për të marrë pjesë, si duket në shenjë revolte për rezultatin e dobët në 6 mars. Mësohet se nga 72 kryetarë degësh, kanë marrë pjesë 43 gjithsej.