“Një federatë dhe një bashkëpunim është i domosdoshëm për të prodhuar energjinë e nevojshme për largimin e kësaj qeverisje të korruptuar e inkriminuar deri në palcë, por kjo fillon duke lënë mënjanë interesin personal”. Kështu u përgjigj Lulzim Basha pas propozimeve të aleatëve të PD.
“Asnjëherë ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk kanë ardhur si rezultat i vullnetit të një partie. Ndryshimet në kodin zgjedhor duhet të përfaqësojnë konsensusin më të gjerë. Ne si PD do të imponojmë që asnjë konsensus si ai i 2008 ku numrat ishin dhe ua futën qytetarëve dhe sot paguajmë ndryshimet okulte të 2008”.
Sipas Bashës, vetingu i politikanëve dhe listat e hapura i japin fund një politike të inkriminuar dhe të korruptuar.
“Vetingu i politikanëve i jep fund debatit kush është i korruptuar dhe kush jo, kush është i lidhur me krimin dhe kush jo. PD ka marrë vendime të qarta politike i ka konfirmuar në kuvendin e 2 shtatorit, ajo që njerëzit presin nga ne jo të gjejnë punë, si deputetë në zgjedhjet e ardhshme, ajo që na bashkon është interesi i qytetarëve ata meritojnë një politikë të pastër nga krimi e korrupsioni. Listat e hapura mundësojnë këtë. Qytetarët meritojnë që emigrantët të kenë të drejtën e votës. PD e ka të qartë platformën me qytetarët dhe kushdo që nuk vendos interesin personal të parin është i mirëpritur të bëjë pjesë. Komisioni i reformës zgjedhore ka bashkëkryetarin e PD të zgjedhur prej kohësh. PD nuk bën llogari kungulleshkash, prandaj PD kërkon lista të hapura, që mos ketë deputetë me 300 vota në parlament dhe kandidatë me 4-5 mijë vota që mbeten jashtë listës. Listat e hapura ndajnë shapin nga sheqeri. Deputetët që duan t’u shërbejnë qytetarëve janë të ftuar të mbështesin propozimet e PD. Lista të hapura dhe Shqipëria zonë elektorale për barazinë e votës”.
Partitë e vogla opozitare kanë propozuar këtë të premte krijimin e një federate të opozitës. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, teksa bëri publik këtë propozim, tha se realiteti mund të ndryshohet vetëm nëse opozita bashkohet.
“Federata koordinohet sipas propozimit tonë nga një grup deputetësh që pranohen nga faktorët politikë të opozitës. Transformimi i kësaj federate mundësisht në një koalicion bashkimi opozitar, duke përcaktuar emrin e saj, programin politik dhe logon e kësaj federate. Përcaktimi i një strategjie elektorale të këtij koalicioni. Me rëndësi primare është reforma zgjedhore, tejkalimi i problemit të përfaqësimit të pozitës në komisione ad hoc duke krijuar mekanizmat e një mirëkuptimi opozitar inkluziv”, tha Mediu.