Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shmangur kontaktet me Presidentin Meta dhe Kryeministrin Edi Rama në ditën e Pavarësisë.
Në kohën që Presidenti Meta priti në Pallatin e Brigadave Kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe trupin Diplomatik, kryedemokrati ka zgjedhur të ndjekë një shfaqe të Bashkisë së Shkodrës dhe elitës së saj artistike.
“Në Shkodër shkoj gjithnjë me gëzim, por sonte në Festën e Flamurit gjithçka ishte speciale në qytetin tim shumë të dashur. Bashkia e Shkodrës, me elitën artistike shkodrane dhe bandën muzikore të qytetit, organizoi një koncert të mrekullueshëm, të denjë për skenat prestigjioze europiane. Ishin 2 orët më speciale të 105 vjetorit të Ditës së Pavarësisë! Faleminderit Shkodra! Gëzuar 28 Nëntorin!”, shkroi Basha në një mesazh në rrjetet sociale.
Basha nuk u është bashkuar Presidentëve Meta e Thaçi dhe Kryeministrit Rama as në festimet e zhvilluara në Vlorë gjatë ditës.