Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një intervistë në Fax News deklaroi se qeveria nuk po e menaxhon si duhet situatën pasi ka një mungesë strategjie.
Sipas Bashës, mungesa e një plani i ka bërë autoritetet që të veprojnë kuturu pasi ndryshon vendimet nga dita në ditë.
“Unë shoh një keqmenaxhim të situatës që vjen në radhë të parë nga mungesa e një plani, mungesa e një strategjie. Në qoftë se nuk ke plan atëherë do të veprosh kuturu. Ndryshe sot, ndryshe nesër, ndryshe pasnesër. Tjetër gjë thuhet në mëngjes, tjetër gjë thuhet në drekë, tjetër gjë thuhet në darkë. Dhe për të mbuluar këtë paaftësi dhe këtë papërgatitje për t’u përballur si me virusin, ashtu edhe me pasojat sociale dhe ekonomike, për të mbuluar sadopak të vërtetën e dhimbshme që shqiptarët e panë edhe në rastin e tërmetit të një shteti prej kartoni i cili është shkatërruar sistematikisht për shkak të korrupsionit, paaftësisë dhe zhvendosjes së burimeve shtetërore, financiare të shqiptarëve në duart e pak njerëzve, pastaj kemi propagandën nga mëngjesi deri në darkë e cila nuk merret kurrë me thelbin e çështjes.
Dhe thelbi i çështjes janë dy: është shëndeti i shqiptarëve dhe është ekonomia që sot është në pikën e saj më të zezë, qoftë në kuptimin e gjendjes ekonomike kombëtare dhe akoma më shumë në gjendjen ekonomike të shumicës dërrmuese të familjeve shqiptare që para krizës 50 përqind konsideroheshin të varfër, tani imagjino prej më shumë se një muaji edhe ata që mund të konsideroheshin shtresë e mesme se kishin një 300 mijë lekësh apo 500 mijë lekësh rrogë apo të ardhura si të vetëpunësuar nuk i kanë më këto të ardhura. Kërkesa jonë, thirrjet tona për t’i dalë përpara të keqes për fat të keq deri tani jo vetëm që nuk janë dëgjuar, por janë përbuzur, janë hedhur tutje, janë zëvendësuar nga propaganda, e cila nuk e mbush barkun e shqiptarëve dhe nuk mund të mbushë tavolinën”, tha Basha.