Kreu i demokratëve, Lulzim Basha ka mbështetur kërkesën e Sindikatës së Policisë për shpërblim suplementar për punonjësit e policisë, duke e quajtur kërkesë të drejtë.
“Mbështes plotësisht kërkesën e drejtë të Sindikatës së Policisë për shpërblim suplementar për punonjësit e policisë.”
Sipas Bashës, kushtet në të cilat ata po punojnë janë të vështira, dhe vijnë në radhë të dytë pas personelit shëndetësor në përballjen me luftën kundër koronavirusit.
“Ashtu si çdo qytetar i këtij vendi jam dëshmitar për kushtet e vështira në të cilat ata po punojnë. Pas personelit shëndetësor, punonjësit e policisë janë në vijën e parë dhe ndër më të ekspozuarit ndaj rrezikut. Ata janë në shërbim me dhe pa orar në të gjithë vendin”.
Basha i ka bërë thirrje qeverisë që të gjejë mundësinë për të akorduar shpërblim financiar për punonjësit e policisë në krye të detyrës.
Po ashtu një apel e ka edhe për qytetarët.
“U kërkoj qytetarëve bashkëpunim të plotë dhe mirëkuptim e mbështetje për punonjësit e policisë në mënyrë që bashkarisht dhe duke u mbështetur tek njeri-tjetri ta tejkalojmë këtë situatë me sa më pak dhimbje.#ditemetemira”.